Deputeti Bekim Qoku përmes një postimi në Facebok i ka adresuar meritat tërësisht Koalicionit VLEN për nisjen e punimeve të Autostradës Tetovë-Gostiar ndërkaq nga ana tjetër Qoku adreson kritika tek BDI-ja për mos mbajtjen e premtimeve nëpër vite vite duke i përmendur shkolla, spitale e teatro.
Reagimi i Qokut vjen pasi nga LSDM dhe BDI po sot pas vënies së gurëthemelimit të autostradës nga Kryeministri dhe zëvendëskryeministrat, kishte reagim se janë pikërisht ata nga garnitura e kaluar qeveritare që nisën planet e projkteve nga Korridori 8.
Më poshtë postimi i plotë i deputetit Bekim Qoku
Projekti më i përfolur dhe më i rëndësishëm infrastrukturor i tre dekadave të fundit në MV, Korridori 8, po ecën me një ritëm të pandalshëm drejt përfundimit. Ky aks strategjik që përshkon vendbanimet shqiptare nuk është më një premtim bosh, por një vepër që po merr formë përditë.
Pas shumë vitesh pritje, ky projekt ka marrë hovin e duhur për të përfunduar në afatet e parashikuara. Me standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë, rruga do të shndërrohet në një arterie moderne që jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin. Deri më sot, segmenti nuk ka qenë kurrë autostradë, ndonëse qytetarët kanë paguar taksa për një infrastrukturë që nuk ekzistonte. Numri i lartë i aksidenteve dhe humbjeve të jetëve do të mbetet në të kaluarën.
Segmenti i parë i Korridorit tashmë ka nisur dhe punimet vijojnë me intensitet në të tre segmentet njëkohësisht. Ky aks do të ketë një gjatësi prej 18 kilometrash, me dy korsi në secilin drejtim dhe një korsi anësore shtesë – pra, gjithsej tre korsi për drejtim, duke garantuar rrjedhshmëri maksimale dhe siguri për të gjithë përdoruesit.
Në kontrast me qeverinë e kaluar, e cila për gati një vit e gjysmë arriti të vendosë vetëm dy tabela informative në këtë segment, sot punimet janë të dukshme dhe po ecin me intensitet të lartë. Ky segment i rëndësishëm pritet të përfundojë në vitin 2027.
Ndërkohë që në një vit e gjysmë u ekspropriuan vetëm 560 parcela, nga korriku i vitit 2024 deri më sot janë ekspropriuar plot 2,500 parcela – një dëshmi e qartë e përshpejtimit të punimeve dhe efikasitetit të kësaj qeverie. Falë këtij investimi, rruga Shkup–Strugë do të përshkohet për vetëm 1 orë e gjysmë.
Informacion me rëndësi është se në qershor të këtij viti pritet të lëshohen rreth 30 km e para autostradë të segmentit të tretë të Korridorit 8, Kërçovë – Strugë.
Le ta kujtojmë: për 22 vite rresht, qytetarët kanë dëgjuar premtime për spitale, teatro, biblioteka, autostrada, madje edhe fabrika makinash, stadiume e më shumë – që kurrë nuk u realizuan. Sot, Korridori 8 është dëshmia më e fortë se premtimet po kthehen në realitet.