Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
Kryesuesi Avni Dehari njoftoi mbylljen e seancës pasi votimi për anëtarët e komisionit për numërimin e votave dështoi.
“Të nderuar deputetë, në votim për kanë dhënë votën 55 deputetë kundër kanë qenë një, abstenim nuk ka, detyrohemi ta ndërpresim seancën shihemi më 3 maj, në orën 10:00”, ka deklaruar Dehari.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konfirmuan refuzimin e partive të tyre për të marrë pjesë në votimin e fshehtë, duke e cilësuar ndërrimin e formës së votimit si të paligjshëm.
Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.