Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ajo para mediave ka theksuar se AAK-ja ka propozuar dy emra, Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin, për të kandiduar për kryeparlamentare, por VV-ja nuk ka pranuar asnjë nga propozimet.
“S’kemi votë në këto rrethana. Për zhbllokimin e kësaj situate kemi propozuar dy emra, por VV-ja nuk po do të dalë nga kriza. Edhe partitë e tjera kanë shprehur gatishmëri për të votuar një kandidat tjetër. Qytetarët duhet ta dinë se VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo gjithashtu ka theksuar se, edhe sikur të ishin ftuar në takimin e sotëm nga kryeministri Albin Kurti, AAK-ja nuk do të merrte pjesë.
“Është obligim i VV-së t’i sigurojë 61 vota. Ftesa që iu ka bërë PDK-së e LDK-së nuk ka qenë një ftesë e drejtë, pasi ka balancuar zgjedhjen e kryeparlamentarit me ata të nënkryetarëve, që janë procedura të ndryshme. Nuk do të kishim shkuar në takim. I dini qëndrimet tona”, ka deklaruar Kadrijaj.