Një 18-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë me dhunë tre shtetase italiane në lagjen nr. 13 të qytetit.
I riu u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Provat”, ndërsa nga hetimet janë zbardhur edhe dy raste të tjera vjedhjesh me dhunë që dyshohet se janë kryer prej tij.
I ndaluari, shtetasi Dorian Abazi me banim në Durrës, akuzohet për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Sipas Policisë, përveç tentativës për të grabitur tre turistet italiane, 18-vjeçari më datë 27 dhe 28 prill dyshohet se ka thyer xhamat e dy automjeteve në të njëjtën lagje, zonën e plazhit, dhe ka vjedhur sende personale.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni luftarak si dhe sende të tjera të dyshuara si të vjedhura.
Po në lidhje me këtë çështje, u procedua penalisht në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” edhe shtetasi E. D., 36 vjeç, banues në Durrës.
Policia njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga 18-vjeçari.