Pas lëshimit të urdhërarrestit për Millan Radoiçiq dhe 19 serbë të tjerë, për krime lufte në Kosovë, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka theksuar rëndësinë e ndëshkimit të kriminelëve të luftës. Ai kërkoi që ky proces të mos përfundojë me dënime të ulëta, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Hoti, ka thënë se, si familjar i një të zhdukuri dhe njëkohësisht kryesues i Komisionit për Persona të Zhdukur, konsideron se ky urdhërarrest është një hap i rëndësishëm, por që nuk mund të shërojë plagën e familjeve të viktimave pa vendosur drejtësinë. Ai ka theksuar se dhimbja e familjarëve nuk mbaron me identifikimin e të zhdukurve, por kërkon ndjekjen penale dhe dënimin e kriminelëve të luftës.
“Plaga e të zhdukurve dhe dhimbja e familjarëve nuk përfundon as me identifikimin e të zhdukurve, sepse drejtësia duhet të vihet në vend,” ka deklaruar Hoti.
“Krimet makabre që këta dhe të tjerë si këta i kanë kryer, të veshur me petkun e njeriut, kur në fakt kanë humbur çdo cilësi njerëzore, qofshin në Gjakovë apo kudo tjetër në Kosovë, nuk kanë tjetër rrugë përveç ndjekjes penale dhe ndëshkimit të merituar,” ka shtuar ai.
Hoti gjithashtu ka theksuar se krimet e kryera gjatë luftës dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar nuk harrohen dhe as nuk parashkruhen. Ai ka shprehur shqetësimin se këta kriminelë mund të përballen me akuza formale dhe dënime të ulëta, duke kujtuar shembuj të ngjashëm ku kriminelë të luftës janë dënuar me dënime të lehta.
“Kam frikë se këta kriminelë mund të mbesin vetëm nën akuza formale ose të dënohen me masa të lehta, shumë më të vogla krahasuar me peshën e krimeve që kanë kryer,” ka potencuar Hoti.
Ai ka përmendur gjithashtu protestën që ka marrë pjesë në Krushën e Vogël, kur qytetarët kundërshtuan uljen e dënimit për kriminelin Tasiq, i cili u dënua me vetëm 11 vite burg për masakrën.
“Duke e parë këtë lajm, më është kujtuar protesta në të cilën kam marrë pjesë para disa vitesh bashkë me qytetarët e Krushës së Vogël, kur protestuam kundër uljes së dënimit të kriminelit tjetër, Tasiq, i cili në fund u dënua me vetëm 11 vite burg për masakrën në Krushë të Vogël”, ka thënë Andin Hoti për RTKlive.
Në fund, ai ka shprehur shpresën se ky rast nuk do të bëhet një tjetër shembull i padrejtësisë.
“Uroj dhe kërkoj që kjo të mos jetë një përsëritje e atyre skenarëve, sepse në fund të këtij procesi, të vetmit të lënduar do të jenë familjarët e viktimave”, ka thënë Andin Hoti, djali i djali i veprimtarit të shquar, Ukshin Hoti.