Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi ka njoftuar se është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400 kilovoltësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Latifi thotë se ky është një projekt kyç për integrimin rajonal dhe stabilitetin elektroenergjetik të vendit. Ai njoftoi se për këtë projekt është anuluar marrëveshja me kontraktuesin paraprak, pasi siç theksoi ai nga 269 themelet e parapara për shtylla të linjës së transmetimit, ishin përfunduar vetëm 24, me justifikime për fonde shtesë. Latifi potencoi se ky projekt është hap themelor drejtë përfundimit të korridorit energjetik rajonal lindje-perëndim, i cili lidh Bullgarinë, RMV-në, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë përmes një kablli nënujor.
BURIM LATIFI, DREJTOR I MEPSOS
“Parashikohet ndërtimi i rreth 100 km linjë transmetimi ajror, nga Stacioni Transformator Manastiri II, deri në kufirin maqedonaso-shqiptar. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 17 milionë euro, i financuar përmes kredisë dhe grandeve nga BERZH dhe Fondet Europiane. Afati për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa zgjidhja e ofertuesit më të favorshëm pritet në tre mujorin e tretë të këtij viti, me fillimin e realizimit, të planifikuar për fillim të vitit 2026”.
Latifi tha se ky projet për vendin do të thotë rritje e konsiderueshme e qëndrueshmërisë së rrjetit të trasmetimit me minizim të rrezikut nga ndërprerjet dhe goditjet e çmimeve dhe integrim strategjik në tregjet rajonale dhe europiane që në afat të gjatë do të kontribojë për çmime të qëndrueshme, të përballueshme dhe konkuruese të energjisë elektrike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/