Një ngjarje e veçantë dhe e pazakontë vjen nga përtej Atlantikut: kompania shqiptare “Rozafa” dhe sipërmarrësi i njohur Gjergj Luca, ka marrë si dhuratë nga vetë Elon Musk dy makina Tesla Cybertruck, të cilat janë të parat që hyjnë në Shqipëri.
“Elon Musk e mbajti fjalën,” shkruan Luca në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shoqëron lajmin me një video domethënëse që tregon momentin e ngarkimit të dy Cybertruck-ve në një kontenier në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u nisur drejt Shqipërisë.
Kjo dhuratë mbart jo vetëm një vlerë materiale, por sidomos një simbolikë të fortë vlerësimi dhe respekti ndërmjet njerëzve të punës. “Ne njerëzit e punës dimë ta vlerësojmë njëri-tjetrin!” thekson Luca në statusin e tij, duke e bërë këtë gjest jo thjesht një ngjarje të rrallë, por një dëshmi të ndërsjelljes njerëzore dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fundin e videos, një detaj prekës dhe simbolik kap vëmendjen: punëtorët amerikanë që përshëndesin kamerën me simbolin e shqiponjës, një përulje ndaj identitetit shqiptar dhe ndoshta një dëshmi respekti për kulturën e punës dhe përkushtimit që përfaqëson kompania “Rozafa”.
Ndodh edhe kështu. Kur puna bëhet gjuhë e përbashkët dhe respekti kapërcen kufijtë, krijohen ura të reja që lidhin njerëz dhe vizione.