Ramadan RAMADANI
Në këtë shtëpi mediatike para disa dite kishte kremtë e festë për shënimin e përvjetorit të Gazeta Lajm. Mes krejt atyre urimeve të shumta nga liderë politik dhe personaliteteve nga jeta publike që uruan Gazetën Lajm për 20 vjetorin desha edhe unë shkurt të përcjelli se sikur e pamë me rastin Koçani dhe tjera, në Maqedoni është punë e madhe me i arritur 20 vjet jetë, e ku më si gazetë! Ndërsa Gazeta Lajm 20 vjet vazhdon të jet, jo vetëm gazetë dhe tani medium komplet me Lajm TV, por një kështjellë lirie e informimit, por edhe e edukimit dhe emancipimit të neve shqiptarëve të Maqedonisë së veriut. Nuk janë vetëm 20 vitet e panderprera të funksionimit si media e lirë argument për këto fjalë, por edhe krejt ajo që mua më bie ndërmend edhe si lexues, edhe si kontribues në opinionin në shqip në këtë vend, se sa here dhe shpesh, mu kjo gazetë ka qenë media e vetme që ka percjellë dhe nxjer në mejdan të vërtetat shqiptare. Shumë herë e verteta dhe liria shqiptare mund të lexoheshin vetëm në këto faqe. Ky është emancipimi i vërtetë, emancipim për lirinë dhe të vërtetën. Urime dhe për shumë përvjetore!
Mendova që me shkas të këtij përvjetori të rëndësishëm të analizojmë një nga problemet kyq të Maqedonisë duke u përqëndruar më shumë në pjesën e opinionit publik në gjuhën shqipe edhe pse edhe në teoritë e komunikimit e edhe në praktikë e dimë se opinioni publik është një dhe i ndërlidhur mes vete. Nga krejt definicionet dhe teoritë e gjata shumë shkurt të rikujtojmë disa definicione për atë se çka në të vërtetë është dhe paraqet opinioni publik:
- a) një përmbledhje e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe besimeve individuale për një temë të caktuar, të shprehura nga një pjesë e konsiderueshme e një komuniteti.
- b) një sintezë të pikëpamjeve të të gjithë ose një segmenti të caktuar të shoqërisë;
- c) një koleksion të shumë pikëpamjeve të ndryshme ose të kundërta.
- d) procesi i ndërveprimit dhe ndikimit të ndërsjellë në vend të një gjendjeje marrëveshjeje të gjerë.
- e) opinionet e mbajtura nga persona privatë që qeveritë e shohin të kujdesshme t’i marrin parasysh.
- f) opinioni publik si pikëpamja kolektive e një popullsie të përcaktuar, siç është një grup i caktuar demografik ose etnik.
Opinioni publik nuk kufizohet vetëm në politikë dhe zgjedhje. Ai përfshin shumë sfera të tjera, si kultura, moda, letërsia dhe artet, shpenzimet e konsumatorëve, marketingu dhe marrëdhëniet me publikun.
Nëse e matim sipas këtyre definiconeve dhe kritereve këtu në Maqedoninë e veriut e sidomos atë në gjuhë shqipe opinionin publik të shprehur mund ta karakterizojmë me shumë epitete:
1) lehtë i plagosshëm; duke pasë parasysh krejt vulnerabilitetin nga krejt ato që goditet prej shpifjeve, rrenave, thashethemeve dhe të tjera e që në gjuhë sot shprehen me emërtim trend “fejk njus”, por në esencë janë rrenë dhe gënjeshtër!
2) brithimë; brithyer, me brinjtë e thyera nga goditjet e padukshme dhe të mëparshme dhe
3) i varfër; që nuk mund të cilësohet si i pasur ose i llojllojshëm
Mu ky epiteti i tretë mu duk i denjë për titullin edhe i kësaj analize dhe më gjerë i pranueshëm si konstatim se opinioni publik i shprehur në media në gjuhën shqipe është i varfër. Pra ka pak opinione, qëndrime, analiza dhe mendime të shprehura rreth çështjeve të caktuara publike. Kjo varfëri e konstatuar na shpie të kërkojmë shkaqet e kësaj mungese. Dhe menjëherë shohim se kjo vie nga fakti se ka pak media në gjuhë shqipe, ato që janë janë të varfëra dhe të paqëndrueshme dhe pa kontinuitetin, si bazë e konzistencës për opinion publik. Vetëm këtu ndodh që të hapen e mbyllen portale duke ekzistuar vetëm për zgjedhje ose të mbyllet një kanal televiziv e që as mos të bëhet lajm në opinion. Duke lënë të pasqaruar jo vetëm opinionin dhe publikun, por edhe bashkëpunëtorët, ekipin dhe gazetarët e vet me të cilët kanë punuar bashkë. Turp e për faqe të zezë! Andaj me leje do kthehem në fillim dhe të ricek se njëzet vitet e Gazeta Lajm si media është punë e madhe në Maqedoni, sidomos në shqip dhe te shqiptarët.
Me liri, pavarësi, llojllojshmëri, kontinuitet dhe konzistencë nuk mund të lavdërohen as pjesa e opinionit publik në maqedonisht, por në shqip e vërejmë më shumë këtë varfëri në media. Sidomos pasi mediat si edhe e tërë ekonomia dhe tregu në Maqedoni janë shumë të varura nga shteti, paratë dhe ndërmarrjet publike. Ndërsa mu aty ka një disbalans të madh në paratë që kanë marrë mediat në gjuhë shqipe dhe ato maqedone. Disbalans i pakrahasueshëm nëse e përpjestojmë me vitet e ekzistencës së këtij shteti. Por, ajo që e bën më të madh këtë disbalans në favor të mediave maqedone janë edhe dy faktorë tjerë; e para se ajo që emërtohet si kulaçi i reklamave në tërësi në këtë vend është shumë i vogël. Dhe e dyta se ai privat është edhe më i vogël e në pjesën shqiptare edhe joekzistent! Ta përkthejmë me shembuj që të jemi më të qartë. Sa ka në shqip reklama ose shpallje të kompanive më fitimprurëse në vend: bankat, operatorët celular, monopolit të energjisë për amvisëritë ose zinxhirëve të marketeve?! Shumë pak ose nëse nuk i hyjmë detajeve mund të thuhet edhe aspak! Një analizë e plotë e këtyre të dhënave në këtë aspekt ndoshta do nxirte plot argumente për aparthejd, segregim dhe diskriminim të opinionit publik në gjuhën shqipe në këtë vend dhe shtet. Pasi krejt këto kompani në përqindje të madhe kanë konsumatorë dhe fitimsjellës në shqip dhe shqiptarë ama marketingun shumë pak ose aspak e bëjnë në gjuhën shqipe! Domethënë këtu nuk bëjmë krahasimin të birrarive, bankave vendase dhe greke që edhe ashtu as e kanë si opsion gjuhën shqipe e ndoshta edhe mund të thuhet se shqiptarët i përdorin ato më pak, por këtu po sjellim shembuj matjeje edhe kompanitë celulare, këtë monopollin energjetik e dadës, bankën sllovene dhe turke edhe atë tjetrën me aksionarë shqiptarë! Në krejt këto shqiptarët mund të jenë gjysma e konsumentëve dhe fitimsjellësve ama gjuha dhe mediat e tyre askund, as në shpallje e as në marketing! Në këto bëjnë pjesë edhe disa kompani të mëdha, në dukje shqiptare, që aspak nuk kontribojnë për pasurimin, llojllojshmërinë e as konzistencën e opinionit publik të shprehur në gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut. Nuk ka nevojë këtu ti sjellim emrat e atyre kompanive të mëdha me pronarë shqiptarë mjafton që askund nuk i shihni në shqip në mediat tona! Turp e për faqe të zezë!
Krejt këto shembuj, krahasime dhe të dhëna vetëm na argumentojnë se varfëria dhe fukarallëku në opinionin publik, por edhe diskriminimi politik, ekonomik, ai në sport dhe në kulturë nuk është fat dhe taksirat, por ka shkaqet dhe faktorët, e edhe fajtorët, që na kanë sjellë këtë gjendje. Mjafton ti gjejmë, identifikojmë dhe në opinionin publik edhe ti ekspozojmë, e ata vet të dinë se edhe për ato do vleje ky konstatimi në titull se opinioni publik i varfër e merr publikun në qafë. Nesër ose pasnesër, sikur që u ka ndodhë dje dhe u ndodh sot, kur atyre vet ju bie ndonjë padrejtësi, diskriminim, e do kenë nevojë ta sqarojnë në shqip dhe për shqiptarë do shohin se e kanë marrë edhe veten në qafë! Nuk paska media në shqip, nuk paska opinion publik në gjuhën shqipe, nuk paska kush ti sqaroje ose mbroje në opinion. E po nuk ka sepse nuk pati as reklama as marketing as përgjegjësi minimale sociale ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve. Aq e thjeshtë është kjo ndërlidhje kauzaliteti dhe këtë e kanë përjetuar vet, shumë herë, këto krejt!