Qeveria italiane ka shpallur pesë ditë zie kombëtare për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e mbajtur këtë të martë. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri të shtunën, më 27 prill, ditën kur do të mbahet ceremonia zyrtare e varrimit të Atit të Shenjtë.
Vatikani ka publikuar gjithashtu detajet e funeralit, pas një takimi të posaçëm të Kolegjit të Kardinalëve. Ceremonia do të zhvillohet në hapësirë të hapur përpara Bazilikës së Shën Pjetrit, të shtunën në orën 10:00 të mëngjesit (ora italiane).
Shërbesa do të udhëhiqet nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, kardinali Giovanni Battista Re. Pas përfundimit të meshës, ai do të mbajë lutjen e fundit për Papën e ndjerë, duke e dorëzuar zyrtarisht shpirtin e tij para Zotit. Më pas, trupi i Papës do të përcillet për varrim në Bazilikën e Santa Maria Maggiore.
Nga nesër në mëngjes, që prej orës 09:00, trupi i Papës Françesku do të vendoset për adhurim publik në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku qytetarët do të mund të bëjnë nderimet e fundit deri ditën e premte.
Pas përfundimit të periudhës së zisë, do të nisë konklavi, procesi i zgjedhjes së Papës së ri, i cili është planifikuar të zhvillohet gjatë muajit maj, nën udhëheqjen e Kolegjit të Kardinalëve.