Pamje shqetësuese vijnë nga këndi i lojërave për fëmijë në parkun e qytetit të Kumanovës, ku mbeturinat e hedhura nga qytetarët kanë mbuluar zonën përreth. Në vendin ku fëmijët duhet të luajnë të lirë dhe të sigurt, janë shfaqur skena të papërshtatshme dhe alarmuese për shëndetin publik.
Ekipi ynë ishte në vendin e ngjarjes dhe bisedoi me disa qytetarë të shqetësuar, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
“Është turp që një vend ku vijnë fëmijët tanë të jetë kaq i ndotur. Ne si prindër nuk ndjehemi rehat ta lëmë fëmijën të luajë këtu,” – thotë znj. Valbona Imeri, një nënë e cila çdo pasdite shoqëron vajzën e saj në park.
Një tjetër qytetar, z. Shpend Azizi, shton: “Ky problem përsëritet shpesh. Mungon një pastrim i rregullt, por edhe qytetarët sillen papërgjegjshëm. Duhet të ketë më shumë kontrolle dhe gjoba për ndotësit.”
Pamjet e siguruara nga vendi tregojnë kosha të tejmbushur, mbeturina plastike dhe mbetje ushqimore të shpërndara në gjithë hapësirën. Ndërsa zona përreth lodrave për fëmijë është në gjendje të mjerueshme, autoritetet komunale ende nuk kanë reaguar. Qytetarët kërkojnë që Komuna e Kumanovës dhe Ndërmarrja Publike për pastrim dhe gjelbrim, të marrin masa konkrete për pastrimin dhe mirëmbajtjen e përditshme të hapësirave publike, si dhe vendosjen e kamerave ose patrullave për të parandaluar ndotjen.
“Nuk mund të bëhet qyteti i pastër pa ndërgjegjësim dhe pa përgjegjësi nga të gjitha palët,” – përfundon znj. Imeri. /alsat.mk