Qeveria kineze ka kritikuar vendet që ndjekin një politikë “zbutjeje” ndaj Shteteve të Bashkuara në negociatat për tregtinë dhe për tarifat doganore shtesë të vendosura nga SHBA-të, duke theksuar se “kundërshton fuqishëm” çdo marrëveshje që dëmton interesat e saj.
“Qetësimi nuk do të sjellë paqe dhe kompromisi nuk do të fitojë respekt,” paralajmëroi në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë Kineze të Tregtisë, duke shtuar se Pekini “kundërshton me forcë çdo marrëveshje nga cilado palë që cenon interesat e Kinës.”
“Nëse ndodh një situatë e tillë, Kina nuk do ta pranojë kurrë dhe do të marrë masa të vendosura hakmarrëse,” shtoi ai.
Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa doganore shtesë që arrijnë deri në 145% për shumë produkte të importuara nga Kina, gjë që në disa raste e çon përqindjen totale të tarifave në 245% – për shembull për makinat elektrike.
Pekini ka reaguar duke vendosur tarifa doganore shtesë deri në 125% për një pjesë të produkteve amerikane të importuara në Kinë.
Për momentin, pjesa tjetër e partnerëve tregtarë të SHBA-ve përballen me një tarifë doganore “bazë” prej 10%, pasi zbatimi i tarifave hakmarrëse më të rënda u pezullua për 90 ditë nga Trump më 9 prill për shumicën e vendeve. Shumë prej tyre kanë nisur bisedime me Uashingtonin.
“Kërkimi i interesave egoiste dhe afatshkurtra në kurriz të interesave të të tjerëve (…) në fund do të dështojë për të dyja palët dhe do të dëmtojë edhe të tjerët,” paralajmëroi gjithashtu Ministria Kineze e Tregtisë në deklaratën e saj.