Kritikat për koalicionin VLEN, kanë vazhduar edhe sot nga partia opozitare shqiptare BDI, të cilët deklarojnë se shprehin shqetësim të thellë për avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit, ku siç theksojnë ata, shtatë persona janë ngritur në pozita të larta, pesë prej tyre si këshilltarë shtetërorë – të gjithë të përkatësisë maqedonase dhe asnjë shqiptar – duke dëshmuar shtojnë Integristët, një prirje të qartë për përjashtim etnik nga struktura vendimmarrëse.
BDI
“Kjo komunikatë nuk ka për qëllim ta kritikojë Ministren e Arsimit, por të informojë publikisht zv/ministrin shqiptar nga koalicioni LEN, i cili – sipas informacioneve tona – as që është njoftuar për këto vendime, e aq më pak të ketë pasur ndikim për t’i parandaluar ato. Fakti që një përfaqësues shqiptar mbahet në errësirë dhe pa rol në një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit, është tregues i qartë se pjesëmarrja shqiptare në qeverisje po reduktohet në një fasadë formale”.
Nga partia e Ahmetit pyesin se çfarë kuptimi ka pjesëmarrja shqiptare në qeverisje, kur siç thonë, përfaqësuesit e saj as nuk informohen, e as nuk dëgjohen. Ndërkaq, ata vlersojnë se ky zhvillim nuk është as rastësor e as i papritur, por pjesë e logjikës së shpallur përmes fushatës “Maqedonia sërish e juaja” dhe anulimit të balancuesit që garantonte barazinë ndëretnike – një filozofi sipas BDI-së, që tashmë po zbatohet përmes përjashtimit të heshtur të shqiptarëve nga pozitat strategjike në administratë.
Samir Mustafa /SHENJA/