Prokuroria duhet menjëherë ta ndërpresë lidhjen transaksionare me Qeverinë. Kështu deklarojnë nga partia opozitare shqitpare BDI. Sipas tyre, në vend që hetimi për Koçanin të zhvillohet me standarde të drejtësisë, prokuroria thonë ata, po e orienton atë drejt populizmit dhe shpëtimit të Qeverisë. Ata shtojnë se ky rast po shndërrohet në një shembull të veçantë të improvizimit ligjor, i udhëhequr siç thonë, jo nga parimet e drejtësisë, por nga etja për duartrokitje.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Kjo nuk buron nga shkenca e së drejtës, por nga një marrëveshje politike me pushtetin ekzekutiv. Shëndërrimi i një tragjedie në mjet për përfitim personal apo promovim institucional është një devijim i rrezikshëm që mund të sjellë pasoja të mëdha. Prandaj, e përsërisim edhe një herë apelin tonë:Prokuroria duhet menjëherë ta ndërpresë lidhjen transaksionare me Qeverinë. E drejta nuk praktikohet sipas porosisë. Karrierat e politikanëve dhe prokurorëve nuk mund të ndërtohen mbi tragjeditë e të tjerëve”.
Sipas BDI-së, në konferencën e fundit për shtyp, Prokurori Publik u mbështet në shembuj ndërkombëtarë – nga Rumania, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara – për të justifikuar siç thonë, vendimin e tij për të zbatuar një koncept të zgjatur të përgjegjësisë dhe për të ngritur akuza ndaj personave që nuk kanë pasur asnjë lidhje me tragjedinë gjatë 15 viteve të fundit. Nga opozitarja theksojnë se e drejta nuk praktikohet sipas porosisë, ndërsa potencojnë se karrierat e politikanëve dhe prokurorëve nuk mund të ndërtohen mbi tragjeditë e të tjerëve.
Samir Mustafa /SHENJA/