Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në orën 20:55, në aksin rrugor që lidh Kërçovën me Gostivarin në fshatin Trapçin Doll, ku si pasojë e një përplasje të fortë mes 3 veturave , kanë humbër jetën tre persona, ndërsa tetë të tjerë kanë mbetur të lënduar. Në mes të viktimave janë edhe Hadi dhe Besa Emini nga fshati Shitov, prindër të tre fëmijëve të vegjël, ndërsa personi i tretë që humbi jetën në aksideny është një 64 vjeçar nga Manastiri. Sipas informacioneve policore, disa nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Kërçovës dhe ata në gjendje më kritike në Spitalin e Shkupit.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur mes automjetit të udhëtarëve “Mercedes” me targa regjistrimi të Kërçovës, i drejtuar nga Z.D. (64) nga Manastiri, automjeti i pasagjerëve “Ford” me targa të Kërçovës i drejtuar nga A.R. (63) nga fshati Stragomishtë e Epërme i Kërçovës dhe automjeti i pasagjerëve “Opel” me targa të Kërçovës i drejtuar nga H.E. (38) nga Gostivari. Policia sqaroi se Drejtuesit e automjeteve Z.D. dhe H.E kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa udhëtarja nga automjeti Opel, Besa Emini është transportuar për në Spitalin e Kërçovës, e cila fatkeqësisht nuk ka mundur t’i mbijetojë lëndimeve dhe ka ndërruar jetë.
Ndërkaq, nga Prokuroria Publike njoftojnë se është kryer kontrolli në vendin e aksidentit të komunikacionit.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Prokuroria Publike e Shtetit sot në mëngjes ka njoftuar se nga vendi i aksidentit janë grumbulluar gjurmë që do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore, ndërsa trupat e të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion dhe është lëshuar urdhër për testim për praninë e mundshme të alkoolit apo substancave tjera te të lënduarit”
Nga Prokuroria gjithashtu njoftojnë se me udhëzimet e prokurorit publik vazhdojnë të ndërmerren veprime të tjera.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se sipas informacioneve fillestare, shkak i aksidentit tragjik ka qenë shpejtësia e papërshtatshme në rrugë.
PANÇE TOSHKOVSKI,MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Në aksidentin e trafikut të mbrëmshëm, fatkeqësisht kanë humbur jetën tre persona. Sipas informatave fillestare që kam marrë, ka qenë rast i shpejtësisë së tepërt nga ana e njërit prej pjesëmarrësve, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë”.
Edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari ka reaguar në rrjetet sociale pas aksidentit tragjik, i cili shpreh ngushëllime për viktimat dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit.
FATMIR DEHARI, KRYETAR I KOMUNËS SË KËRÇOVËS
“Humbje që nuk përshkruhet me fjalë… Dy jetë të ndritura u shuan para kohe, duke lënë pas dhimbje të thellë. Lusim Zotin t’i mëshirojë dhe t’i bëjë banorë të parajsës. Ndërsa për tre fëmijët dhe gjyshen që i mbijetuan kësaj tragjedie, lutemi për shërim, për jetë, për forcë. Urojmë që Zoti t’i mbështesë me dritën e Tij në çdo hap të së ardhmes, si dhe për forcë e durim për familjarët në këto çaste të rënda”.
Ndryshe, numri i viktimave në trafik në tremujorin e parë të këtij viti është afërsisht i ngjashëm me vitin e kaluar, shifrat janë katastrofike në krahasim me standardet evropiane.
Samir Mustafa /SHENJA/