Ukraina ka njoftuar se Kievi dhe Uashingtoni kanë nënshkruar një memorandum si një hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshjeje për burimet minerale në Ukrainë, një marrëveshje e promovuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Edhe pse të dy vendet ishin gati në shkurt për të nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim mbi burimet natyrore, ajo u vonua pasi një takim në Zyrën Ovale midis Trumpit dhe udhëheqësit ukrainas Volodymyr Zelenskiy u shndërrua në një debat, shkruan Reuters.
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë nënshkrimin e memorandumit me partnerët tanë amerikanë”, tha Yulia Svyrydenko, zëvendëskryeministrja e parë dhe ministrja e ekonomisë e Ukrainës.
Bëhet e ditur se memorandumi hap rrugën për një marrëveshje partneriteti ekonomik dhe ngritjen e një fondi investimi për rindërtimin e Ukrainës.
Dhe nënshkrimi vjen pasi zyrtarët në Kiev punuan për të riparuar lidhjet pas “episodit” të Zyrës Ovale, duke pranuar se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së në luftën e saj me Rusinë.
Trump tha se vetë marrëveshja mund të nënshkruhet javën e ardhshme, megjithëse pala ukrainase nuk dha asnjë tregues se kur priste të përfundonte marrëveshjen e plotë. /Telegrafi/