Drejtuesi politik i qarkut Dibër, Xhelal Mziu, i është përgjigjur deklaratave që kryeministri Edi Rama bëri dje në takimin e tij me banorët e Dibrës.
Kujtojmë se gjatë fjalimit të tij dje, kreu i qeverisë u shpreh i bindur se më 12 maj Dibra do gdhihet rozë, ndërsa u shpreh se fuqia e PS është gruaja dhe vajzave.
“Nëse ne kemi 60% të grave dhe vajzave, nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave, sepse kjo jetë këtu në këtë vend më ka mësuar që gjysma e burrave janë normal, gjysma tjetër janë çyrykë”, tha Rama.
Lidhur me këtë deklaratë, Xhelal Mziu ka bërë një postim në Facebook adresuar Ramës, teksa nënvizon: “DIBRA NUK TA FAL, O KRYE-ÇYRYK”.
Mziu shkruan se “Një “Çyryk” si Edi Rama – kurrë s’mund të poshtërojë atë që historia ka ngritur në piedestalin e lavdisë.
Ai mund të përdhosë institucione, por jo zemrat e dibranëve.
Ai mund të përdorë krimin për të sunduar, por kurrë s’mund të nënshtrojë burrat e Dibrës – ata që nuk i nënshtroi as Turku, as Serbi, as diktatura komuniste”.
Postimi i plotë
DIBRA NUK TA FAL, O KRYE-ÇYRYK.
Këtu, tek Kepi i Xhitetit në Çidhën, ku mali flet me burrërinë dhe historia me gjakun e derdhur për liri, burrat e Dibrës lidhën besën – të jetojnë me nder ose të vdesin pa u përkulur!
Këtu, ku nuk u dorëzuan përpara Perandorisë Osmane, ku nuk i trembën plumbit e as shpatës, këtu e lidhim sërish besën:
Të mbrojmë nderin, mençurinë dhe trimërinë e Dibrës – të trashëguar brez pas brezi!
Një “Çyryk” si Edi Rama – kurrë s’mund të poshtërojë atë që historia ka ngritur në piedestalin e lavdisë.
Ai mund të përdhosë institucione, por jo zemrat e dibranëve.
Ai mund të përdorë krimin për të sunduar, por kurrë s’mund të nënshtrojë burrat e Dibrës – ata që nuk i nënshtroi as Turku, as Serbi, as diktatura komuniste.
Familja për ne është e shenjtë. Gratë tona janë burrnesha, janë nderi ynë. Askush nuk ka të drejtë t’i fyejë!
E aq më pak një “çyryk pa brekë”, që s’ka as nder, as burrëri, as dinjitet!
Dibra nuk fal! Dibra nuk harron! Dibra nuk nënshtrohet!
Më 11 maj, ne lidhim sërish besën – për Dibrën, për Shqipërinë, për lirinë!
Edi Rama do të përballet me zemërimin e një populli që nuk pranon të jetojë i nënshtruar.