Pasditen e sotme, në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, atmosfera mes finalistëve të “Big Brother VIP Albania 4” ka qenë e mbushur me tension, ndërsa Rozana Radi ka shpërthyer në kritika të drejtpërdrejta ndaj bashkëbanorit të saj, Gjestit.
Në një diskutim të hapur mes banorëve që kanë arritur finalen, këngëtarja u shpreh pa dorashka se sipas saj, Gjesti nuk e meriton të jetë fitues i këtij edicioni. Ajo e akuzoi artistin nga Kosova për mungesë sinqeriteti dhe paaftësi për të mbajtur qëndrime të qarta në situata të vështira brenda shtëpisë.
“Unë nuk kam njohur njeri që gënjen më shumë se Gjesti. Një njeri i cili aq shumë gënjen, saqë ndonjëherë e beson edhe vetë atë që gënjen”, tha ajo me ton të prerë.
Sipas Rozanës, Gjesti nuk ka qenë i aftë të përballojë debatet apo të ndërtojë një narrativë serioze gjatë rrugëtimit të tij në shtëpi, duke u treguar shpesh i paqëndrueshëm dhe kontradiktor midis asaj që shfaq para banorëve dhe asaj që thotë në dhomën e rrëfimit.
“Ndryshe sillet gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpi dhe ndryshe thotë në dhomën e rrëfimit. Nuk është një djalë që mban mbi shpatulla debatin”, – vijoi ajo, duke theksuar se mungesa e argumenteve dhe mosmbrojtja e vetes janë të pafalshme për një finalist.
Deklaratat e Rozanës janë bërë virale menjëherë në rrjetet sociale, ku fansat po ndajnë mendime të ndara për Gjestin – disa duke e mbrojtur dhe të tjerë duke e përkrahur qëndrimin e saj.
Finalja e “BBVA4” po afron, dhe me sa duket, gara për çmimin e madh është më e ndezur se kurrë.