Në parkun e Liqenit Artificial po helmohen qentë e rrugës. Në redaksinë e “Tak Fak”, ka mbërritur denoncim nga qytetarët të cilët kanë parë pamjet e rënda të qenve të ngordhur si pasojë e ushqimeve me helm që kanë konsumuar.
Qytetarja tha për “Tak Fak” se ka gjetur disa qenë të ngordhur në zona të ndryshme të parkut.
“Të nisësh ditën me qen të ngordhur ishte tmerr, nuk kam fjalë”, thotë qytetarja e ngashëryer. Ajo thotë se i ka gjetur qentë me shkumë në gojë dhe ushqimin e helmuar e kishte pas trupit.
“E kanë helmuar në darkë, janë lokalet pranë që i bëjnë këto. Unë i kam varrosur bashkë me disa vullnetarë”.
Qytetarët kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë duke ngritur strehë për qentë e rrugës. Por nga ana tjetër, ata kërkojnë që dhe masat ndëshkuese ndaj personave që vrasin qentë në kundërshtim me rregulloren, duhet të zbatohen.