Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) në protestën e 1 Majit do të kërkojë përsëri rritje të pagës minimale në 500 euro, si dhe rritje të pagave të tjera për 100 euro dhe rritje të pagave në sektorin publik për 12,6 për qind konform Marrëveshjes së përgjithshme kolektive.
“Jemi dëshmitarë se sot, për politikëbërësit më e rëndësishmja është ruajtja e pagave të tyre jashtëzakonisht të larta, tani me 79 për qind, dhe nga ana tjetër një pjesë e punëtorëve në sektorin publik nuk kanë përshtatje të pagave të tyre me rritjen e pagës mesatare konform Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik, nuk e kanë pranuar kërkesën e LSM-së për rritjen e pagave prej 6.000 denarë për pagat e mbetura në të njëjtën shumë. Sot, punëtorët në Maqedoni përballen me presion të shtuar për ekzistencën e tyre për shkak të kostove të larta të jetesës dhe pagave të ulëta. Sot të gjithë ne, të gjithë ju kemi rastin dhe shansin të tregojmë se ata që udhëheqin shtetin duhet të dëgjojnë zërin e punëtorëve, kemi mundësinë të tregojmë pakënaqësinë e punëtorëve dhe së bashku të dalim në protestën e madhe të punëtorëve më 1 Maj ku do të dërgojmë porositë tona dhe kërkesat e punëtorëve”, theksohet në publikimin e sotëm të LSM-së dërguar mediave.
Protesta më të cilën LSM shënon Ditën ndërkombëtare të punës do të fillojë në orën 11 para Shtëpisë së punëtorëve në Shkup dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë.
Paga minimale është rritur për 1.800 denarë dhe tani arrin rreth 24.400 denarë. Nga Qeveria thonë se rritja e pagës minimale është konform kritereve në Ligjin për pagën minimale, por nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kontestojnë marrjen e një vendimi të tillë për shkak se nuk ka kaluar në Këshillin ekonomik-social i cili nuk ka mbajtur seancë, sepse pritet vendim nga Komisioni për përfaqësim i cili duhet të vendosë për përfaqësimin e LSM-së.