Nevoja për intensifikimin e dialogut të ndërsjellë politik, si dhe avancimi i bashkëpunimit ekonomik-tregtar, janë theksuar në takimin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe (EAB), sheikut Abdullah bin Zajed Al Nahjan.
Në takimin, i cili u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Hristijan Mickoski në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të RMV-së, u konfirmuan marrëdhëniet e mira bilaterale dhe bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet dy vendeve, ndërsa u theksua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e mëtejshëm të tyre.
Në këtë drejtim, ministri Mucunski, në emër të Qeverisë, nënshkroi dy memorandume mirëkuptimi, për bashkëpunim ekonomik dhe për bashkëpunim në mes të akademive diplomatike të dy Ministrive të Punëve të Jashtme.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e intensifikimit të kontakteve ndërmjet komuniteteve të biznesit dhe odave ekonomike të dy vendeve, me qëllim të lidhjes më të madhe ekonomike dhe realizimit të investimeve të reja. Krahas marrëdhënieve dypalëshe, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike në botë.