Bankat, avokatët, noterët, këmbimoret, organizatorët e lojërave të fatit…, sipas Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit të gjithë janë të detyruar të jenë një hallkë në zinxhirin që do të parandalojë hyrjen e parave të zeza në qarkullimin e ligjshëm, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Sa herë që ata vlerësojnë se kanë një klient “të dyshimtë” ose një transaksion të pazakontë, ata duhet të njoftojnë Drejtorinë e Inteligjencës Financiare (DIF).
Por në disa raste kjo nuk ndodh, prandaj Drejtoria i çon në gjykatë për procedim kundërvajtës.
Analiza e BIRN tregon se për transaksione “të dyshimta” të padeklaruara ose të deklaruara në mënyrë jo adekuate me vlera qindra mijëra eurosh, gjykatat ndër vite kanë vendosur dënime prej 1.000 apo 2.000 eurosh.
Nga ana tjetër dënimet e parapara me ligj, në varësi të peshës së kundërvajtjes dhe llojit të subjektit që e ka lëshuar apo nuk ka kryer mbikëqyrje, janë nga 150 deri në 120.000 euro.
Pjesëmarrje e lirë dhe kompensim i “majmë”
Një avokat nga Shkupi në vitin 2018 ka hartuar një marrëveshje për transferimin e një pjese kapitali ndërmjet një shtetaseje të Maqedonisë dhe një kompanie nga Dubai, shkruan në një vendim të Gjykatës së Apelit të Shkupit të vitit 2021. Pikërisht për këtë marrëveshje Drejtoria e Inteligjencës Financiare hapi një procedurë kundërvajtëse pranë Gjykatës Penale.
Avokati akuzohej për mosrespektim të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe se nuk kishte marrë parasysh se klientja që lidhte kontratën kërkonte “kryerjen e shërbimeve në ose drejt vendeve të njohura për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës ose vende të njohura si vende offshore”.
Zyrtarët e inteligjencës financiare e panë të pazakontë që tarifa për transferimin e një pjese të kapitalit ishte 600.000 euro dhe vlera e vetë asaj pjese ishte 7.500 euro.
Në aktgjykim thuhet gjithashtu se pronarja e vërtetë, d.m.th., pronarja përfundimtare e kompanisë në Dubai, së cilës i janë paguar paratë, është në fakt e njëjta grua që i ka paguar paratë.
Avokati i akuzuar u mbrojt në gjykatë duke thënë se transaksioni ishte transparent për autoritetet shtetërore në vend dhe se nuk kishte asnjë dyshim se nuk ishte bërë asnjë tentativë, aq më pak pastrim parash apo financim i terrorizmit me këto para.
Gjykatësit e apelit nuk i kanë pranuar argumentet e tij. Aktgjykimi ka marrë formë të prerë dhe me të avokati është detyruar që në buxhet të paguajë 1.000 euro dhe 2.000 denarë tarifa gjyqësore.
E njëjta shtetase e Maqedonisë shfaqet në një rast tjetër të ngjashëm që përfshin një transferim “të shtrenjtë” të një pjese kapitali, në të cilin një noter nga Shkupi u dënua në formë të prerë me dënim identik prej 1.000 eurosh.
“Noteri i akuzuar nuk ka bërë analizë të personit juridik jorezident me seli në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Në aktgjykim thuhet se shtetasja e Maqedonisë ka qenë pronare, drejtoreshë dhe sekretareshë e një kompanie së cilës i është paguar një pjesë kapitali prej 11.000 eurosh dhe kompensimi për atë ka qenë 9,8 milionë euro.
Përveç këtyre dy, në bazën e të dhënave të gjykatave BIRN gjeti rreth edhe dhjetëra vendime të tjera kundër avokatëve, noterëve dhe shtëpive brokere që nuk kanë respektuar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe janë ndëshkuar për këtë.
Kështu, personi përgjegjës, si dhe shtëpia brokere janë dënuar se nuk kanë përpiluar raport për shitblerjen e “transaksioneve të pazakonta të mëdha ose transaksioneve që janë kryer në mënyrë të pazakontë dhe që nuk kanë arsyetim ekonomik” nga një bankë komerciale në Maqedoni. Në tre vjet është bërë shitljerje e aksioneve me vlerë gati tre milionë euro. Gjykata e ka dënuar shtëpinë me 20.000 euro dhe personin përgjegjës me 500 euro.
Sipas vendimeve të analizuara nga BIRN, ky është dënimi më i madh e shqiptuar për mosrespektim të Ligjit Kundër Pastrimit të Parave.
Edhe një avokat nga Shkupi është dënuar për hartimin e kontratës për shitblerjen e një banese në të cilën klienti është ish-kryetar i Bordit të Drejtorëve të MEPSO-s dhe nuk ka analizuar obligimet e zyrtarëve të zgjedhur dhe emëruar dhe nuk e ka dorëzuar atë në Drejtorinë e Inteligjencës Financiare.
Avokati është dënuar me 1.000 euro dënim dhe shpenzime gjyqësore.
Nga 10 denoncime për kundërvajtje çdo vit
Nga viti 2021 deri në vitin 2023 nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare para gjykatave janë iniciuar gjithsej 33 procedime kundërvajtëse kundër noterëve, avokatëve dhe shtëpive brokere për mosrespektim të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
Ata ose nuk e kanë identifikuar pronarin e vërtetë të kompanive, ose nuk e kanë kryer një analizë të transaksioneve komplekse dhe të pazakonta, ose nuk kanë dorëzuar raport ose të dhëna deri te DIF-i.
Ligji parasheh që kompanitë dhe qytetarët që ndërmjetësojnë me pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 10.000 euro e më shumë, bankat, kursimoret, këmbimoret, noterët, avokatët, organizatorët e lojërave të fatit, Depozitarin Qendror të Letrave me Vlerë, ndërmjetësit në tregtimin e veprave të artit dhe shërbimeve me monedha virtuale, janë të detyruar të ndërmarrin masa dhe veprime për zbulimin dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ligji kërkon që ata të zhvillojnë një program për reduktimin dhe menaxhimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe analizën e klientit kur ka transaksion më të madh se 15.000 euro, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një pagesë të vetme apo pagesa të ndërlidhura, kur transferohen para më të mëdha se 1.000 euro, në lojërat e fatit kur bëhet depozitimi dhe pagesa e fitimit.
Analiza e klientit kryhet edhe kur ka dyshime për vërtetësinë e të dhënave të identitetit të klientit ose të pronarit të vërtetë, ose kur ka dyshime për pastrim parash ose financim terrorizmi, pavarësisht nga shuma e parave.
Gjithashtu në radarin e inspektimit të DIF-it janë edhe Organizatat jofitimprurëse.
Raporti i vitit 2021 për vlerësimin e rrezikut nga financimi i terrorizmit prej organizatave jofitimprurëse në Maqedoni tregon se në të kaluarën ekzistonte një shoqatë e arsimit dhe kulturës nga Kumanova, e cila ka qenë nën vëzhgimin e agjentëve të inteligjencës për lidhje me një organizatë terroriste, si dhe një OJQ me seli në Shkup, nga ana tjetër, e cila ishte e dyshimtë për shkak të të hyrave nga njerëz dhe kompani nga Turqia.
Dënimet për shkeljet kundërvajtëse të ligjit variojnë nga 150 deri në 120.000 euro, në varësi të llojit të shkelësit dhe llojit dhe peshës së kundërvajtjes.
Asgjë më ndryshe se vjet
“Shtatë procedura kundërvajtëse janë zhvilluar para gjykatave kompetente”, thanë për BIRN nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare për situatën vitin e kaluar. Arsyet në 2024 janë të njëjta si në vitet e mëparshme: raport i padorëzuar, përgjigje e padorëzuar ndaj DIF-it, mosidentifikimi i pronarëve të vërtetë të kompanive…
Nga Drejtoria thonë se vitin e kaluar një avokat ka injoruar kërkesën e DIF-it për t’i dhënë të dhënat e kërkuara brenda 10 ditësh, kështu që është iniciuar një procedurë kundërvajtëse. Shkeljet më të shpeshta të ligjit, sipas DIF-it, janë te organizatorët e lojërave të fatit.
Raporti i Maneyval për vitin 2023, organi ekspert i Këshillit të Evropës, konstatoi se Maqedonia ka një kornizë ligjore të përmirësuar në krahasim me të kaluarën, por ende duhet të përmirësojë zbatimin e masave në shumë fusha.
Moneyval ka kërkuar nga Maqedonia një vlerësim më efikas të rrezikut të pastrimit të parave edhe nga avokatët, noterët, kontabilistët, këshilltarët tatimorë ose agjentët e pasurive të paluajtshme.