Me vendim të Qeverisë, Petar Bogojeski është emëruar drejtor i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri (Erasmus +) dhe është paraparë të marrë detyrën më 15 maj 2025. Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon tërheqjen e vendimit për emërimin e Petar Bogojeskit për Drejtor të Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane, për shkak të deklaratave të tij që përmbajnë gjuhë shqetësuese, fyerje dhe gjuhë urrejtjeje, si dhe veprime që janë në kundërshtim me vlerat evropiane, transmeton Portalb.mk.
Programi Erasmus+ përpiqet të promovojë mundësi të barabarta dhe aksesueshmëri, përfshirje, diversitet dhe barazi në të gjitha aktivitetet që ai mbështet. Programi vlerëson gjithashtu agjencitë kombëtare si kyçe në mbështetjen e projekteve që mundësojnë përfshirjen dhe përfaqësimin sa më të madh të diversitetit. Për të arritur këto qëllime, ekziston një Kuadër për Masat e Përfshirjes dhe një Strategji për Përfshirjen dhe Pranimin e Diversitetit.
“Besojmë se emërimi i një personi që me sjelljen e tij në rrjetet sociale i shkel çdo ditë këto parime dhe përçmon njerëzit që i respektojnë është jo vetëm e pabazë, por edhe fyerje për Programin që ekziston prej më shumë se 35 vitesh dhe që vazhdimisht investon në zhvillimin e rinisë. Në të njëjtën kohë, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga reagimi i ministres së Arsimit, e cila në përgjigje të sugjerimeve të disa aktorëve të shoqërisë, përfshirë ministrin e Çështjeve Evropiane, thekson se puna e tij do të monitorohet me fokus më të madh. Nga ana tjetër, publiku ka pasur rastin të ndjekë prej kohësh punën e drejtorit të emëruar – përmes deklaratave dhe komenteve të tij në rrjetet sociale. Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi transmeton në mënyrë integrale deklaratat e bëra dhe paraprakisht kërkon falje që citon fjalë që nuk janë të përshtatshme për asnjë komunikim, veçanërisht jo nga zyrtarë të emëruar. Bogojeski akuzohet për përhapje të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht përmes rrjeteve sociale. Në gusht të vitit 2024, Koalicioni “VLEN” ngriti kallëzim penal kundër tij për postime në Facebook që mendohej se nxisnin urrejtje kombëtare, racore dhe fetare”, thuhet në reagim.
Më 3 dhjetor 2023, Bogojeski mbajti konferencë për media para MPB-së dhe Prokurorisë, ku publikoi dezinformata të rrezikshme, me ngjyrë etnike për kidnapimin e Vanja Gjorçevskës, e cila i vuri flakën rrjeteve sociale. Ai pretendoi se autoritetet po mbulonin një vrasje, duke deklaruar se “të dyshuarit janë liruar nga stacioni policor” dhe pyeti “a janë transferuar tashmë në Kosovë?!?.
Pikërisht për shkak të spekulimeve të tilla se rasti ka përkatësi etnike, Prokuroria Publike në deklaratën e 3 dhjetorit 2023 theksoi se të pesë të dyshuarit për vrasjen janë maqedonas.
“Qëndrime dhe mënyra të tilla komunikimi nuk kanë vend në diskursin publik, veçanërisht jo nga një zyrtar i emëruar. Nuk ka vend për të minimizuar qëndrimet e shprehura të Bogojeskit nga përfaqësuesit e qeverisë, duke thënë se “puna e tij do të monitorohet nga afër, për shkak të reagimeve të publikut, por për momentin nuk mund të komentohet asgjë”. Agjencia që do të drejtojë Bogojeski ka mandat që “të forcojë rolin e të mësuarit gjatë gjithë jetës në krijimin e ndjenjës së qytetarisë evropiane të bazuar në mirëkuptimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe inkurajimin e tolerancës dhe respektit për popujt dhe kulturat e tjera”. Qëllimi i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet është që të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me zbatimin e këtyre programeve, Agjencia Kombëtare kontribuon në zhvillimin e komunitetit si një shoqëri e bazuar në njohuri të avancuara, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, më shumë vende pune dhe kohezion më të madh social, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm dhe veçanërisht shkëmbimin, bashkëpunimin dhe lëvizshmërinë në fushën e arsimit dhe trajnimit. Pikëpamjet dhe deklaratat e Bogojeskit janë në kundërshtim me vlerat e promovuara nga programet evropiane si Erasmus+, duke e bërë atë të papërshtatshëm për një pozitë udhëheqëse në një institucion që synon promovimin e vlerave evropiane, gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin ndërkulturor. Duke e marrë parasysh sa më sipër, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi kërkon tërheqjen e emërimit të Petar Bogojeskit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet”, thonë nga Rrjeti.
Kujtojmë që zgjedhja e drejtorit të ri në krye të këtij institucioni ka bërë bujë në opinion këto ditë.
Lideri i partisë së vogël “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeski së fundmi u zgjodh drejtor i Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Bogojeski në opinion njihet si shpërndarës i flaktë i gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit, e cila është në kundërshtim me vlerat e BE-së.
Pavarësisht kësaj, ai u shpërblye me postin e drejtorit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar.
Në paraqitjet e tij publike ai shpesh ka përdorur nacionalizëm dhe gjuhë të urrejtjes, si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj komuniteteve tjera në vend si boshnjakët.