Një 25-vjeçar është shoqëruar në komisariat pasi ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë Rrugore në kryeqytet.
Sipas burimeve zyrtare, i riu fillimisht nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Pas ndjekjes dhe ndalimit të tij, ai është konfliktuar fizikisht me efektivin, duke e lënduar.
Punonjësi i Policisë Rrugore ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ndaj 25-vjeçarit kanë nisur procedurat për veprimet e dhunshme ndaj efektivit.
Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 08:45, në rrugën e Elbasanit, dyshohet se shtetasi M. F., rreth 25 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar motomjetin që drejtonte, me qëllim kryerjen e verifikimeve. Gjithashtu, shtetasi M. F., dyshohet se për shkak të detyrës, është konfliktuar fizikisht me punonjësin e Policisë, i cili po merr asistencë mjekësore. Shtetasi M. F. është shoqëuar në ambientet e Policisë, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftoi policia.