Laramani profesionesh të kandidatëve për anëtarë në këshillin programor të Radio Televizionit të Maqedonisë të cilët sot morën dritë jeshile nga komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend. Kush profesor, kush jurist, kush inzhinier i elektroteknikës, kush muzikant, kush aktor e kush politikolog. 24 nga 37 kandidatë plotësojnë kushtet dhe mund të marrin pjesë në debatin publik për biografinë e tyre. 13 prej kandidatëve nuk kishin dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe nuk kaluan në komision. Për këtë, deputeti Halil Snopçe dha vërejtje që kandidatët të paralajmërohen nëse kanë harruar të dorëzojnë ndonjë dokument.
“Nëse kandidati nuk ka përvojë të mjaftueshme, kuptohet me automatizëm eliminohet. Nëse kandidati nuk dorëzon dokument se ka përfunduar arsim të lartë, një prej kushteve kryesore, me automatizëm eliminohet. Mirëpo duhet të jemi pak më tolerantë në kuptimin nëse kandidati nuk ka dorëzuar nënshtetësinë. Të mos jemi aq rigoroz, të kenë mundësi kandidatët për dorëzimin e nënshtetësisë apo deklaratë për nenin 119-118. T’u japim në të ardhmen kandidatëve mundësi të tillë sepse kjo është shumë rigoroze”, deklaroi Halil Snopçe – VLEN.
Mes kandidatëve kishte edhe të tillë që synojnë mandatin e tretë me radhë, edhe pse këtë nuk e lejon ligji për Agjencinë e Mediave. Mandati i anëtarëve të këshillit programor të RTVM-së, është pesë vite me mundësi për edhe për një mandat tjetër.
“Siç jam i njoftuar në vitin 2018 ky këshill programor ka fituar edhe një mandat dhe me ndryshimet ligjore u është dhënë thuajse mandat të pakufizuar deri në përzgjedhjen e këshillit të ri programor. Dhe ja tani mezi e pritëm këtë ditë të diskutohet për këshill të ri programor dhe konsideroj se kjo për ta do të ishte përzgjedhja e tretë me çka automatikisht duhet të diskualifikohen, si ky kandidat, ashtu edhe të gjithë kandidatët e mëtutjeshëm, veçanërisht që njëri prej këtyre kandidatëve ka qenë dhe kryetar i këshillit programor thuajse 13 vite”, u shpreh Amar Mecinoviq – E Majta.
Ndërkohë për më tepër se dy muaj është lënë në harresë përzgjedhja e anëtarëve të këshillit të Agjencisë së Mediave, ndërsa një pjesë e tyre ishin shumë të përfolur në opinion për prapavijën dhe angazhimin e tyre politik. Madje për të njëjtit, komisioni antikorrupsion më 4 shkurt hapi lëndë nëse kandidatët janë profile partiake. Shtatë kandidatët ka mbetur të votohen në seancë plenare por nevojitet shumicë prej 2/3 dhe shumicë të badenterit, gjë që shumica parlamentare nuk e ka për momentin. /Alsat.mk