Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një çështje që përfshin një skemë të dyshuar korrupsioni dhe falsifikimi dokumentesh në legalizimin e tre objekteve në fshatin Palasë, në bashkinë Himarë.
Në total, 17 persona janë marrë të pandehur për vepra të rënda penale si “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur.
Ndërtim pa leje dhe dokumente të falsifikuara
Sipas organit të akuzës, shtetasit me inicialet A.V., A.L. dhe F.K. kanë ndërtuar pa leje tre objekte dykatëshe për qëllime fitimi në Palasë. Ndërkohë që ndërtimet po kryheshin në mënyrë të paligjshme, ata kanë aplikuar pranë ASHK-së Vlorë për legalizimin e tyre, duke paraqitur dokumente të falsifikuara në dosjet përkatëse.
Në këtë skemë është përfshirë edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë, O.Dh., i akuzuar për falsifikim të dokumenteve tre herë, si dhe tre ekspertë të cilët kanë hartuar dokumentacion me të dhëna të rreme mbi kohën e ndërtimit, për t’i përshtatur me kushtet e legalizimit.
Legalizimi, ndonëse hetimi ishte në vijim, Prokuroria ka zbuluar se, pavarësisht se hetimet për këto ndërtime ishin në proces, ASHK Vlorë ka miratuar legalizimin e tre objekteve në kundërshtim të hapur me ligjin.
Hetimet provuan se punonjës të shumtë të ASHK-së Vlorë kishin konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke verifikuar në mënyrë të papërshtatshme kriteret për legalizim dhe duke miratuar dokumentacion të rremë.
Zyrtarët e ASHK-së të përfshirë në skandal
Të pandehur për këtë vepër janë marrë këta zyrtarë të ASHK-së Vlorë:
K.T. – Drejtor i ASHK-së Vlorë
E.M. – Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë
E.Y. – Përgjegjës i Sektorit të Kalimit të Pronësisë
T.M. – Specialiste në Sektorin e Kalimit të Pronësisë
S.R. – Specialiste hartografe
A.D. – Specialist terreni në Sektorin e Legalizimeve
F.D. – Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve
M.J. – Specialist në Sektorin e Legalizimeve
D.M. – Përgjegjës i Hartografisë dhe Regjistrimit
A.Rr. – Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve
T.H. – Specialist IT pranë ASHK-së Vlorë
Prokuroria ka konkluduar se veprimet e tyre kanë lejuar legalizimin e paligjshëm të ndërtimeve, duke i shkaktuar dëm interesit publik dhe duke ndihmuar në përfitimin e pasurive nga individë në kundërshtim me ligjin.
Njoftimi i Prokurorisë:
Legalizuan në kundërshtim me ligjin tre objekte në Palasë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq zyrtatët e ASHK-së, kryetarin e fshatit dhe ndërtuesit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq për veprat penale ‘Falsifikim të dokumenteve’, ‘Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ 17 persona, zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), kryetarin e fshatit Palasë dhe ndërtuesit.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.814 të vitit 2020 rezultoi se shtetasit A.V., A.L. dhe F.K, kanë ndërtuar pa lejen e organeve kompetente 3 objekte, 2-katëshe në fshatin Palasë, Himarë, për qëllime fitimi. Këta persona gjatë kohës që kryenin ndërtimin e objekteve pa leje kanë aplikuar në ASHK-në Vlorë për legalizimin e tyre dhe kanë depozituar dokumente të falsifikuara në dosjen e legalizimit.
Për këtë arsye, shtetasit A.V., A.L. dhe F.K. janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi, është marrë i pandehur edhe kryetari i Kryesisë së Fshatit Palasë, shtetasi O.Dh. për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, si dhe tre ekspertët I.T., E.P. dhe D.M., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin dhe në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë, pasi kanë hartuar dokumentacion me të dhëna të rreme në përmbajtjen e tyre.
Në këto dokumente janë paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së ndërtimit me qëllim që ato të përfshihen në procedurat e legalizimit, e më pas këto dokumente janë dorëzuar nga të pandehurit A.V., A.L. dhe F.K pranë ASHK-së Vlorë dhe janë bërë pjesë e dosjes së legalizimit.
Po kështu, rezultoi e provuar se ndërkohë që në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë kryheshin hetime lidhur me autorët e këtyre ndërtimeve, nga ASHK-ja Vlorë, është kryer legalizimi i 3 objekteve në kundërshtim me ligjin. Nga ana e punonjësve të ASHK-së të ngarkuar me verifikimin e kushteve dhe kritereve për përfitimin nga legalizimi, rezultoi e provuar se janë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, të kryer 3 herë.
Në lidhje me këtë vepër janë marrë të pandehur shtetasit K.T., Drejtor i ASHK-së Vlorë, E.M, Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë pranë ASHK-së Vlorë, E.Y., Përgjegjës i Sektorit të Kalimit të Pronësisë pranë ASHK-së Vlorë, T.M, Specialiste e Sektorit të Kalimit të Pronësisë në ASHK-në Vlorë, S.R., Specialiste hartografe pranë Sektorit të Hartografisë në ASHK-në Vlorë, A,D., Specialist terreni pranë Sektorit të Legalizimeve në ASHK-në Vlorë, F.D., Përgjegjës i Sektorit të Legalizimeve pranë ASHK-së Vlorë, M.J., Specialist në Sektorin e Legalizimeve pranë ASHK-së Vlorë, D.M., Përgjegjës i Hartografisë dhe Regjistrimit pranë ASHK-së Vlorë, A.Rr., Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit si dhe T.H., me detyrë Specialist IT-pranë ASHK-së Vlorë.
Në kuadër të procedimit penal nr. 814 të vitit 2020 u cakta edhe masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale mbi pasuritë e paluajtshme si më poshtë vijojnë:
1. Pasurinë me nr.200/353, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
2. Pasurinë me nr. 200/352, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 79 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 192 m2, për banim 192 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 237 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.
3. Pasurinë me nr. 200/351, me sipërfaqe të bazës së ndërtimi 82 m2 dhe sipërfaqe totale të ndërtimit 195 m2, për banim 195 m2/ për aktivitet 0 m2, me numër katesh 2 dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 246 m2, i ndërtuar në ZK 2863, Palasë.