Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar pas miratimit të draft-raportit për Kosovën nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, duke e cilësuar këtë si një hap të vonuar, por të mirëpritur.
“Lajm shumë i vonuar, por jashtëzakonisht i mirëpritur – shpresoj që këto thirrje të merren seriozisht. Balanca duhet të rikthehet në qasjen ndaj Ballkanit, veçanërisht nga ana e BE-së”, ka shkruar Kearns në rrjetin social X.
Draft-raporti, i hartuar nga eurodeputeti estonez Riho Terras, vlerëson progresin e Kosovës në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe ekonomisë, por thekson se ende ka sfida në sundimin e ligjit.
Raporti mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nënvizon rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Një nga pikat kyçe të raportit është thirrja për heqjen e masave kufizuese të vendosura nga BE ndaj Kosovës në vitin 2023 pas tensioneve në veri.
Gjithashtu, i bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.
Raporti thekson rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke u kërkuar palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura nën ndërmjetësimin e BE-së.
Së fundi, Komiteti i Parlamentit Evropian kërkon nga BE-ja të ofrojë më shumë qartësi rreth procesit të integrimit të Kosovës, për të shmangur që vendi të mbetet një “zonë gri” në hartën e Evropës.