Pak përpara bisedimeve midis Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit, presidenti iranian çuditërisht e ka lënë të hapur derën për investimet amerikane në vend.
“Unë shoh Udhëheqësin Suprem [ Ajatollah Ali Khamenei ] disa herë në javë. Ai nuk ka kundërshtime ndaj investitorëve amerikanë në vend,” tha presidenti Masoud Pezeshkian , sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
“Ajo që ne refuzojmë janë komplotet, përpjekjet për përmbysje dhe politikat e pasakta që ata ndjekin,” tha ai.
Të shtunën, ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka në plan të zhvillojë bisedime indirekte me të dërguarin e posaçëm të SHBA, Steve Witkoff në shtetin e Gjirit, Oman .
Bisedimet janë një shenjë e parë e vrullit të ri për të zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë mbi programin bërthamor të Iranit.
Araghchi i tha agjencisë së lajmeve ISNA se ai dëshironte që bisedimet të fokusoheshin vetëm në “sigurimin e natyrës paqësore të programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve të padrejta”.
Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Presidenti i SHBA Donald Trump në vitin 2018 u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare, e cila kishte për qëllim të kufizonte programin bërthamor të Iranit dhe të hiqte sanksionet në këmbim. Pas tërheqjes së SHBA-së, Teherani ndaloi respektimin e kushteve të marrëveshjes.