Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të partisë, Ilire Dauti, zhvilluan sot një takim në Tiranë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në qendër të bisedës ishin situata e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, zhvillimet politike në rajon dhe sfidat e përbashkëta që prekin shqiptarët në hapësirat mbarëkombëtare. Sela vlerësoi kujdesin dhe interesimin e vazhdueshëm të Presidentit Begaj dhe shtetit shqiptar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si një mbështetje të fuqishme dhe një motiv shtesë për të vijuar përpjekjet drejt forcimit të të drejtave dhe kapërcimit të sfidave që qëndrojnë përpara.
“Kujdesi i shtetit amë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është jetik për ruajtjen e arritjeve të deritanishme dhe avancimin e mëtejshëm të pozitës sonë,” theksoi Sela pas takimit.
Ai shtoi se roli i shqiptarëve në Ballkan është thelbësor për stabilitetin dhe progresin e rajonit, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Tiranën zyrtare dhe gjithë faktorët politikë shqiptarë në rajon.