Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë në Izrael, ku është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.
Pas marrjes së medaljes, në një deklaratë me presidentin izraelit, Herzog, Kryeministri Rama u shpreh se e “konsideron atë (medaljen), si nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës, duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët”.
Rama ka folur edhe rreth konfliktit Izrael-Palestinë, ku ai theksoi se “Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete”.
“Ky nder (medalja) i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Evropë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj”, tha Rama.
Rama theksoi se bëjnë gjithçka munden që të ngrenë zërin kundër antisemitizmit dhe shtoi se po ndërtojnë dy qendra hebreje, sipas tij “një muze hebre në Vlorë, aty ku ishin vendosur hebrenjtë dhe një qendër kulturore hebreje në Tiranë”.
“Duam t’i japim hapësirë së tashmes e së nesërmes, e duam që sa më shumë të jetë e mundur të kemi marrëdhënie me Izraelin dhe me popullin hebre, që nga niveli i turistëve”, theksoi Rama.
Herzog u shpreh se Medalja Presidenciale e Nderit të Izraelit nderon ata që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe sipas tij ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre të guximshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit.
“Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore”, tha ai.
Herzog tha se lidhja mes dy vendeve “po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera” dhe shtoi se “Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë”.