Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit është duke analizuar informacionet nëse ish zyrtarët, deputetët dhe ish deputetët të cilët para një muaji u gjobitën për shkak të mos paraqitjes së pasurisë, e kanë kryer këtë obligim pasi janë gjobitur. Kryetarja e komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, thotë se megjithatë ka mangësi ligjore për këtë obligim.
“Të mos lejojmë që me pagesën e gjobave të amnistohen të gjithë personat e zgjedhur apo të emëruar nga obligimi për paraqitje të gjendjes së pasurisë. Nëse konfirmohet se një pjesë e atyre personave nuk kanë dorëzuar listë anketuese edhe përskaj pagesës së gjobës, do të dorëzojmë njoftim deri te organet kompetente të cilat do të ndërmarrin veprime të mëtejme”, tha Tatjana Dimitrovska – Kryetare e Antikorrupsionit..
Gjobat prej 250-300 euro nuk paraqesin asnjë problem për ministrat e deputetët, për të mos paraqitur pasurinë e tyre.
“Të gjitha këto vërejtje që i përmendët por edhe ne i kemi vërtetuar gjatë këtij mandati një vjeçar, janë pjesë e propozim ndryshimeve të ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konflikt të interesave të cilat presim që sa më shpejtë të miratohen nga ana e shtëpisë ligjvënëse”, u shpreh Tatjana Dimitrovska – Kryetare e Antikorrupsionit.
Për shkak mos deklarimit të pasurisë, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit muajin e kaluar gjobiti ministra, ish ministra, deputetë e ish deputetë, si dhe bartës të funksioneve publike për shkelje të dispozitave ligjore, përkatësisht mosdeklarim të pasurisë, deklarim të vonshëm të të dhënave si dhe ushtrim i funksionit publik në kundërshtim me ligjin. / Alsat.mk