Sot përfundojnë 7 ditët e zisë kombëtare që u mbajtën pas tragjedisë së madhe që ndodhi javë më parë në Koçan. Në Qeveri sot mbajtën pres konferencë të përbashkët, Kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetqeverisjes Lokale, Orce Gjorgjievski, zëdhënëset e qeverisë Venera Azizi dhe Marija Miteva dhe drejtori i klinikës Universitare për Sëmundje kirurgjike Shkup, Nebojsha Nastov. Gjorgjievski informoi se të gjitha komunat, përmes BNJVL-së, kanë filluar kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese në të gjitha objektet publike në mbarë vendin. Kjo do të thotë se shkollat, kopshtet, sallat sportive, institucionet kulturore, si dhe të gjitha objektet e hotelerisë po inspektohen tërësisht. Vëmendje e veçantë Gjorgjievski tha se i kushtohet objekteve ku strehohen fëmijët dhe të rinjtë.
ORCE GJORGJIEVSKI, KRYETAR I BASHKËSISË SË NJËSIVE TË VETQEVERISJES LOKALE
“Tregohet kujdes që objektet të kenë pajisje të përshtatshme zjarrfikëse dhe hidrantë funskional. A janë instalimet elektrike të sigurta dhe të mirëmbajtura siç duhet, a janë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe raportet e sigurisë… Shumë kryetarë komunash po mobilizojnë shërbimet e tyre. Do të ketë zero tolerancë për parregullsitë. Objektet të cilat nuk janë të sigurta do të marrin urdhër për heqjen e menjëhershme të mangësive dhe nëse është e nevojshme do të mbyllen përkohësisht derisa të korrigjohen mangësitë”.
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike në Shkup aktualisht janë duke trajtuar dhjetë pacientë nga zjarri në diskotekën Puls në Koçan, gjashtë prej të cilëve tashmë i janë nënshtruar transplantimit të lëkurës për shkak të shkallës së lartë së djegies së tyre, informoi drejtori i Klinikës, Nebojsha Nastov.
NEBOJSHA NASTOV, DREJTOR I KLINIKËS UNIVERSITARE PËR SËMUNDJE KIRURGJIKE SHKUP
“Lidhur me gjendjen aktuale shëndetësore të pacientëve nga spitali nga i cili vij, e cila është Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjike në Shkup, aktualisht janë të shtruar 10 pacientë, prej të cilëve gjashtë tashmë kanë bërë transplantim të lëkurës për shkak se ishin pacientë me shkallën më të lartë të djegies, gjegjësisht shkallës së tretë. Pacientët e mbetur vazhdojnë ti bëjnë kontrollet e rregullta dhe tashmë gjatë javës së ardhshme, sipas planeve që kemi, edhe pse duhet të përsëris se situata është shumë fluide dhe mund të ndryshojë nga ora në orë, janë planifikuar lëshimet e para në shtëpi”.
Ndërkaq, zëdhënësja e qeverisë, Venera Azizi, tha se angazhimi dhe përkushtimi i qeverisë për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo tragjedi dhe për të zbardhur të vërtetën e kësaj tragjedie, do të vazhdojë me intisitet të pa precedentë.
VENERA AZIZI,ZËDHËNËSE E QEVERISË
“Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë masa të mënjëhershme për tu ofruar mbështetje të plotë të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi. Përveq atyreve që po trajtohen nëpër spitale tona dhe deri më tani 116 pacientë janë duke marrë trajtim në spitale të jashtme dhe 180 familje i shoqërojnë ata, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga shteti. Shteti i mbulon të gjitha shpenzimet, që përfshinë, udhëtimin, akomodimin dhe nevojat e përditshme të tyre”.
Azizi njoftoi se nga nesër Kryqi i Kuq për çdo person të prekur nga kjo tragjedi, do të fillojë të ndajë mjete financiare familjeve prej 150 .000 denarë. Ky angazhim i mënjëhershëm i qeverisë, zëdhënësja tha se ka për qëllim të sigurojë që asnjë i prekur nga tragjedie mos të jetë pa mbështetje.
Samir Mustafa /SHENJA/