Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj raportimeve mediatike që pretendonin se ministria e tij kishte paguar 66 mijë euro për largimin e mobilieve nga objekti i mëparshëm i AAK-së.
Ai i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe tendencioze.
Në një deklaratë për media, Peci gjithashtu ka mohuar pretendimet se ka qëndruar deri në mesnatë në ministri për të fshehur dokumente.
“Dje kam pasur një agjendë shumë të ngarkuar. Fillimisht kam qenë në komunën e Gjakovës në aktivitete, mandej në Deçan, në Pejë, në Istog, në Gjilan edhe në fund në mbrëmje si adhurues i futbollit kam përcjell në stadium ndeshjen futbollistike Kosovë-Islandë, diku rreth orës 12:00 jam kthyer para Ministrisë së Bujqësisë, e kam marr veturën edhe kam shkuar në shtëpi. Disa të ashtuquajtur gazetarë kanë raportuar që unë kam qëndruar deri në ora 12:00 të natës, duke fshehur dosje. Ky është një prej raportimeve të mediave.
Raportimi tjetër ka qenë që Agjencia Zhvillimore e Bujqësisë është në proces të bartjes nga objekti me qira, tek objekti i Ministrisë së Bujqësisë, objekti shtetëror në Ulpianë, edhe procesi i bartjes ka filluar më shumë se një javë. Raportimi tjetër medial ka qenë se Prokuroria po merr dosje nga Ministria e Bujqësisë me kamion. Tash kjo është vetëm si shembull se çka raportojnë disa media”, ka thënë Peci.
Ministri ka thënë gjithashtu se bartja e Agjencisë Zhvillimore të Bujqësisë në një objekt shtetëror në Ulpianë kishte nisur më shumë se një javë më parë dhe nuk kishte lidhje me ndonjë hetim.
“Ne e përgëzojmë, e falënderojmë çdo aktivitet të mekanizmave të drejtësisë që vihet në funksion të zbardhjes të së vërtetës. Unë nuk merrem me specifika teknike. Ju e keni A deri në ZH shpjegimin se si ka shkuar e gjithë procedura, edhe mes tjerash, mua më kanë njoftuar pas raportimit medial që ka qenë, që krejt çka është raportuar në media ka qenë e pavërtetë, ka qenë shpifje, edhe është tendencë.
“Të vërtetën ta thonë institucionet e drejtësisë, edhe akterët, të cilët janë intervistuar edhe që kanë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të merren me procedurën. Mua më kanë thënë që nuk ekziston pozicion, ku thuhet që është bartje e mobilieve, aq më tepër që në këtë raportim medial ekziston një video që është bërë te kati i objektit të Ministrisë së Bujqësisë që nuk ka qenë hiç pjesë e kontratës për të bërë renovimin në atë objekt. Është bërë video, është bërë shpifja se në katin, ku nuk është hiç pjesë e kontratës për çka pretendohet se ka mundur të ketë abuzim financiar”, ka shtuar Peci.