Sot në Beograd do të mbahet një protestë studentore, ndërsa zyrtarët më të lartë shtetërorë kanë bërë thirrje që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa incidente, raporton agjencia Tanjug.
Rreth ndërtesës së Kuvendit Popullor, ku do të mbahet protesta, është vendosur një gardh sigurie. Aktualisht, trafiku po zhvillohet pa pengesa.
Mbrëmë, pas disa ditësh marshimi nga qytete të tjera, studentët dhe aktivistët që marrin pjesë në bllokadën studentore arritën në Beograd për t’u bashkuar me protestën. Studentët beogradas i pritën në Terazije, ku u organizua një ceremoni mirëseardhjeje. Tubimi u shpërnda rreth gjysmë ore pas mesnatës.
Studentët marshuan në kryeqytet nga qytete si Novi Sad, Suboticë, Kragujevc, Nish, Kraljevë, Uzicë, Krushevac, Vrshac, Çaçak, Valjevë dhe Loznicë. Nëpër Terazije kaluan edhe grupe motoristësh si dhe fermerë me traktorë.
Në bllokadë, studentët u pritën nga banorët e Beogradit me brohoritje, bilbila, trompeta vuvuzela dhe goditje të daulleve. Për studentët që qëndruan në qytet, u sigurua akomodim në ndërtesat e fakulteteve dhe në disa shkolla të mesme.
Tensione dhe incidente në protestë
Mbrëmë, Terazije dhe rrugët përreth ishin të mbushura me protestues, ndërsa pati provokime ndaj studentëve që dëshironin të ndiqnin mësimin në Parkun e Pionierëve, ku ndodhen që nga 6 marsi.
Në afërsi të Parkut të Pionierëve, ndodhën disa incidente dhe u dëmtuan disa traktorë të parkuar pranë tendave ku qëndronin studentët që donin të vazhdonin mësimin.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, deklaroi se gjatë natës ka pasur disa incidente pranë Parkut të Pionierëve dhe se janë arrestuar 13 persona. Ai tha se disa persona janë ndaluar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, se shumica e traktorëve janë dëmtuar, ka pasur përpjekje për t’i djegur, për t’i shtyrë në rrugë dhe madje ka pasur edhe të shtëna ndaj protestuesve dhe policisë.
Sipas vlerësimeve të policisë, në kulmin e protestës mbrëmë, në të gjitha lokacionet e qytetit, ishin të pranishëm rreth 31.000 persona.
Thirrje për paqe dhe siguri
Ministria e Brendshme bëri thirrje që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa incidente. Studentët pjesëmarrës në bllokadë kanë njoftuar për një protestë para Kuvendit të Serbisë, e cila pritet të fillojë në orën 16:00. Para se të arrijnë aty, ata do të mblidhen në disa pika të ndryshme të qytetit.
Gjatë protestës do të lexohen kërkesat e tyre, do të performojë kori i studentëve, do të mbahet një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë në Novi Sad, pas së cilës do të ketë një moment proteste simbolike me zhurmë. Tubimi pritet të përfundojë rreth orës 21:00.
Zyrtarët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare kanë bërë thirrje që protesta të zhvillohet paqësisht.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri thirrje për ruajtjen e paqes me çdo kusht dhe theksoi se Shteti i Serbisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar qetësinë. Ai paralajmëroi se kushdo që cenon rendin do të arrestohet dhe dënohet rëndë.
Edhe kryeministri Milosh Vuçeviç u bëri thirrje organizatorëve të protestës që të shmangin çdo skenar konflikti.
Patriarku serb Porfirije ka bërë disa herë thirrje për qetësi, ndërsa myftiu i Bashkësisë Islame të Serbisë, Muhamed Jusufspahiç, ka apeluar për ruajtjen e paqes dhe harmonisë mes qytetarëve.
Që nga fundi i nëntorit, grupet studentore kanë bllokuar fakultetet, duke kërkuar përmbushjen e katër kërkesave të tyre. Pavarësisht disa hapave të ndërmarrë nga institucionet shtetërore, ata pretendojnë se kërkesat ende nuk janë plotësuar, raporton Tanjug.