Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti sot është takuar me profesorin dhe historianin e njohur zviceran, Oliver Jens Schmitt.
Schmitt është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës që nga viti 2005. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave që nga viti 2011 dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Si një nga studiuesit më të rëndësishëm të historisë së Ballkanit, ai ka sjellë kontribute të vlefshme mbi periudhën osmane dhe zhvillimet moderne shqiptare. Kërkimet e tij kanë ndriçuar aspekte kyçe të historisë sonë, duke përfshirë Luftën Shqiptare për Pavarësi, periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndikimin e ndryshimeve politike në rajon.
Schmitt është autor i disa veprave që trajtojnë historinë e shqiptarëve në Evropën Juglindore, mes të cilave: “Arbëria Venedike”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Historia shqiptare: Gjendja dhe perspektivat e hulumtimit” dhe “Kosova: Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”.
Botimi i librit “Skënderbeu” ka hapur diskutime mes historianëve shqiptarë, disa prej të cilëve e kanë kritikuar interpretimin e tij, duke e cilësuar si të diskutueshëm në raport me imazhin tradicional të heroit kombëtar. Ndërkohë, “Kosova: Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” është pritur me më pak polemika dhe ka ndihmuar në pasqyrimin e historisë së Kosovës në një këndvështrim më të gjerë rajonal.
Pavarësisht debateve që kanë shoqëruar disa nga studimet e tij, Oliver Jens Schmitt mbetet një zë i rëndësishëm në historiografinë e Ballkanit. Pikëpamjet dhe analizat e tij, siç ndodh shpesh me studiues që trajtojnë tema të ndjeshme, kanë nxitur reflektim dhe diskutim mbi të kaluarën tonë.