Nuk ka kthim prapa nga 20 marsi, data kur do të diskutohet për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan Alsat.
Në komunikimin joformal të sotëm, kreu i Kushtetueses zbuloi se janë 6 çështjet kontestuese në ligj, të vendosura në tryezën ku ekspertët do të rrahin arsyetimet e tyre, në një bashkëbisedim me vetë gjykatësit që përbëjnë gjykatën kushtetuese.
Palët e përfshira në këtë diskutim, i cili për herë të parë në praktikën e këtij institucioni do të transmetohet drejtpërdrejtë për opinionin publik, do të përfshijë edhe pjesëmarrës specialë nga Komisioni i Venecias, institucioni ndërkombëtar që kishte dhënë mendim vite më parë, si dhe ekspertët e fushës, përfshi tekstshkruesit e kushtetutës, profesorë të së drejtës kushtetuese, krerë gjykatash etj.
Pjesëmarrësit që kanë konfirmuar janë, Martin Kujer, nënkryetar i Komisionit të Venecias, i cili pritet të sqarojë këshillën miqësore që Komisioni i Venecias duhet ta miratojë 5 ditë para mbërritjes së tij në Shkup; Artur Kuçs, gjykatës i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, i cili do të flasë për të drejtat e pakicave, ndërkohë që nga vendorët janë emrat e njohur të fushës si Margarita Caca-Nikollovska, Renata Deskoska, Borçe Davitkovski, Jeton Shasivari, Gordana Llazhatiq, Mersel Bilalli, Denis Preshova, Mersim Maksuti, Abdylmexhit Nuredin, Azam Korbajram. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe krerët e gjykatave penale, Ivan Xholev, Administrative Burim Sejdini, dhe ajo e Apelit të Manastirit, Zhaklina Doveden. Pritet të marrin pjesë edhe parashtrues të iniciativave të ngritura ndaj Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, mes tyre Todor Petrov, Tome Todorovski dhe Tanja Karakamisheva.
Gjykata është e ndërgjegjshme që bëhet fjalë për një hap të ndjeshëm në procesin vendimmarrës, dhe në dijeni janë vendosur edhe Ministria e Brendshme në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës. Sipas procedurës, pas mbajtjes së seancës përgatitore, gjyqtari referues do të mbledhë të gjitha mendimet e ekspertëve dhe do të shkruajë një referat për lëndën në afat prej 6 muajve.
Më pas, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në afat prej 1 muaji, obligohet të caktojë seancë ku do të merret vendimi përfundimtar, nëse do të hapet apo jo procedurë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Pritshmëritë e Darko Kostadinovskit janë që vendimi do të merret në maj ose në qershor të këtij viti.
Pavarësisht se ende janë të panjohura për publikun 6 çështjet kontestuese në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, diapazoni i kontestimeve nga 13 iniciativat nga 46 subjekte denoncuese, përfshinte thuajse të tërë ligjin. Vetëm neni 1, paragrafi 1, nuk përfshihej nga iniciativat, ndërsa të gjithë 25 nenet e tij, kontestoheshin.
Në vitin 2021, një tjetër seancë përgatitore kishte shqyrtuar vetëm aspektin procedural të iniciativave kontestuese lidhur me miratimin e Ligjit të Gjuhëve, që nënkuptonte, që nga miratimi me shumicë prej 2/3-ash e deri te shpallja e dekretit të ligjit pa nënshkrimin e presidentit Ivanov asokohe.
Tani, në seancën e radhës të caktuar për më 20 mars, do të trajtohet vetëm aspekti përmbajtjesor i ligjit, përfshi harmonizimin me amendamentin 5 dhe një sërë amendamentesh të tjera pasuese, zbatimi i ligjit në librat amë, dokumentet personale e pasaporta, si dhe ekzistenca e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, dhe dyshimet për mospërfshirjen e komuniteteve të tjera, përveç shqiptarëve, në fushëveprimin e saj./ Alsat.mk