Ambasada e Austrisë në Maqedoninë e Veriut në një deklaratë për Portalb-in tha se nuk ka dhënë garanca apo premtime për Kodrën e Diellit, ndryshe nga ajo që deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para gazetarëve. Siç thotë ambasada, në takimin në janar të ambasadorit austriak, Martin Pammer me Kasamit, tema e zhvillimit të qendrës së skijimit ka qenë pjesë e diskutimit por sa për shkëmbim informacioni, pa asnjë premtim të dhënë, shkruan Portalb.mk.
Përgjigja nga Ambasada e Austrisë erdhi pasi i pyetëm për detajet e takimit të ambasadorit austriak Martin Pammer dhe kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit që patën në fund të janarit, pas së cilit Kasami deklaroi se ambasadori ka treguar interesim për të ndihmuar për arritjen e marrëveshjes me kompaninë e interesuar për investim në Kodrën e Diellit, dhe se ambasadori dhënë garanca për të ndihmuar në sigurimin e fondeve ndërkombëtare.
Nga Ambasada e Austrisë, deklaratën e Kasamit e konsideruan si keqinterpretim.
“Në emër të Ambasadës Austriake, dëshirojmë të ju përgjigjemi se në konferencën për shtyp ka pasur një keqinterpretim. Në takimin e ambasadorit të Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit të Komunës së Tetovës në fund të janarit u diskutua për projekte potenciale të përbashkëta në qytetin e Tetovës dhe në zonën e Malit Sharr. Tema e zhvillimit të qendrës së skijimit ishte pjesë e diskutimit por thjesht një shkëmbim informacioni, nuk u dhanë garanca apo premtime. Sapo projektet tona të mundshme të bëhen më konkrete, do të jemi të lumtur t’ju informojmë juve dhe përfaqësuesit e tjerë të shtypit”, thanë nga Ambasada e Austrisë për Portalb.mk.
Sot pas seancës së Këshillit Komunal në Tetovë i kërkuam qëndrim kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit për këtë deklaratë të ambasadës por ai nuk deshi të komentojë para kamerës.
Rikujtojmë se Kasami më 28 janar 2025 deklaroi ndryshe, më poshtë po e përcjellim deklaratën e plotë:
“Ka një risi sa i përket Kodrës së Diellit, informatat fillestare kanë qenë se bëhet fjalë për një investitor italian, bëhet fjalë për një investitor formalisht italian nga Tiroli lindor ku jetojnë austriakë. Javën që shkoi unë kam pasur takim me ambasadorin e Austrisë i cili ka treguar interesim për të përkrahur këtë investitor, sepse me informatat që mora nga ambasadori, ky investitor dëshiron të futet në Maqedoni përmes kompanisë-biznesit që e ka të regjistruar në Austri. Pra edhe formalisht bëhet fjalë për investim austriak të mundshëm në Kodrën e Diellit.
Me angazhimin e ambasadorit unë besoj jemi një hap përpara dhe jemi më afër që ky investitor të investojë në Kodrën e Diellit.
Për më shumë që dilemat edhe në diskutim me Qeverinë kanë qenë për investimet publike të cilat duhet të bëhen dhe investimin privat që duhet ta bëjë investitori. Informatat paraprake kanë qenë se investitori në fazën e parë mund të bëjë investime diku deri 50 milionë euro por në të njëjtën kohë kërkon investime publike po në të njëjtën vlerë, nuk ka arsyeshmëri që ne të japim një hapsirë aq të rëndësishme investitorit privat që do të investojë vetëm 50 milionë euro me atë që shteti obligohet bashkë me komunën që të investojnë po të njëjtën shumë.
Kështu që ambasadori austriak garantoi që ai do të ndihmojë që të sigurohen fonde nga institucionet ndërkombëtare edhe për investimin publik që do të bëhet, pra mos të jetë nga fondet lokale dhe shtetërore, por të jetë nga fondet e jashtme me të cilat do të lehtësojë edhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes. Me atë po ashtu garantoi se investimi nuk do të jetë 50 milionë por atë që ka thënë edhe investitori se do të shkojë mbi 150 milionë, pra edhe këtu të kemi një marrëveshje dhe një garancë se nuk ka ndonjë keqpërdorim”, tha Kasami.
Investimi shumë i premtuar italian për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe mos të ketë epilog apo marrëveshje. Autoritetet vazhdimisht nxjerrin diçka të re, ndërsa në terren nuk shihet asgjë.
Për këtë është i njoftuar edhe drejtori i qendrës së skijimit Kodra e Diellit – Abdulgani Aliji, por nuk ka detaje.
“Jemi në dijeni të diskutimeve që po zhvillohen rreth një investimi të mundshëm italian në Kodrën e Diellit. Megjithatë, deri më tani nuk kemi informacione të detajuara mbi këtë çështje. Jemi të hapur për çdo zhvillim që do të kontribuonte në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në këtë zonë turistike”, tha Aliji për Portalb.mk.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor në një prononcim për Portalb.mk thanë se “nuk kanë informata të reja”. Ndërkaq kreu i kësaj ministrie, njëherit edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti më 5 dhjetor 2024 njoftoi se me kompaninë ‘TechnoAlpin’ kanë rifilluar bisedimet.
Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’ me të cilët Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm.
“Në këtë moment, nuk ka përditësime të reja ose të rëndësishme që ne jemi në gjendje t’i ndajmë”, thanë nga TechnoAlpin.
‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër destinacionet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Kujtojmë që sezoni turistik filloi më 13 dhjetor 2024 ndërsa përfundoi më 13 mars 2025. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.