Një ngjarje e papritur ka ndodhur në spektaklin e së martës mbrëma të Big Brother VIP Albania 4, kur banorja Rizarta Hoxha ka akuzuar produksionin se ka transmetuar një bisedë të paautorizuar nga dhoma e rrefimit, duke shkaktuar shqetësim te publiku dhe vetë ajo.
Në klipin që u transmetua gjatë “Prime”-it, Rizartës iu shfaq një bisedë e saj që kishte zhvilluar në dhomën e rrefimit, ku ajo shprehej se nuk i gjykon prindërit e saj, duke thënë se “aq kanë ditur dhe aq kanë bërë në rritjen e saj”. Kjo deklaratë, e cila u transmetua pa pritur, ka tingëlluar jo fort mirë për shumë shikues, duke nxitur reagime të ndryshme.
Në momentin kur iu shfaq klipi, Rizarta reagoi menjëherë dhe shprehu shqetësimin e saj, duke thënë: “Kjo nuk ishte fare e drejte. Ajo biseda që po behej, nuk kisha dijeni që do jepej, që do transmetohej. Fakti që kam qenë skeptike që të vija këtu brenda është pikërisht sepse nuk doja që të transmetoheshin ato fjalë. Nuk është e drejtë, vërtet. Unë mendoja se po bëja një bisedë me psikologen”.
Ndërkohë, prezantuesi i spektaklit, Ledion Lico, iu përgjigj menjëherë Rizartës, duke i sqaruar se ato fjalë nuk ishin pjesë e një diskutimi privat me psikologen, por një bisedë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, dhe se produksioni ka të drejtën t’i transmetojë.