Ministria e Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka kryer një aksion policor, ku në bazë të urdhërave të siguruara nga Gjykata Themelore janë kryer bastisje në disa lokacione në rajonin e Shkupit, Manastirit dhe Kërçovës, tek persona juridikë dhe fizikë, në lidhje me kryerjen e veprave penale të lidhura me furnizimet e dyshimta të derivateve.
Gjatë aksionit të kryer më 10 mars, janë arrestuar 11 persona, një person është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe një tjetër është në masën e arrestit. Në mesin e personave që po hetohen është Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati, biznesmenët Ratko Kapushevski, drejtor gjeneral i kompanisë RKM për tregti me energensa dhe derivate të naftës dhe Asmir Jahoski, pronar i kompanisë “Pucko petroll”.
Sipas njoftimit të policisë, deri më tani gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar dokumente, pesë telefona celularë, rreth 1500 copë municion të kalibrit të ndryshëm, dy pistoleta dhe tre automjete.
Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së
“Ministra e Punëve të Brendshme i ka dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike kallëzim penal kundër 13 personave fizik dhe një juridik për ‘keqpërdorim të detyrës dhe kompetencave zyrtare’ dhe ‘larje parash dhe rendementeve të tjera nga veprimtaria kriminale’ edhe atë: V.K. (55) nga Manastiri, A.M. (44) nga Shkupi, N.S. (61) nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës, E.P. (52) nga Shkupi, M.N. (60) nga Shkupi, B.M. (51) nga Shkupi, R.R. (48) nga Komuna e Zhelinës, D.S.J. (43) nga Kumanova, D.S. (66) nga Shkupi, D.S. (43) nga Velesi, R.K. (38) nga Shkupi, E.S. (43) nga Kërçova dhe A.J. (40) nga fshati Pllasnicë dhe një person juridik nga Shkupi”.
Ai më tej shtoi se, policia do të vazhdojë me ndërmarrjen e aktiviteteve dhe veprimeve të mëtejme policore,sipas udhëzimeve të prokruorit kompetent, me qëllim sigurimin e dëshmive të tjera lidhur edhe me vepra të tjera penale.
Teuta Buçi /SHENJA/