Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është shteti me sentimentin më pro NATO në glob, dhe se qytetarët e këtij vendi do të jenë përjetësisht mirënjohës për konitrbutin vendimtar të kësaj aleance për lirinë e vendit.
Osmani në konferencën për media ka deklaruar se gjatë 25 viteve, së bashku me NATO-n, Kosova është shndërruar në një shembull suksesi teksa ka shtuar se NATO është themeluar mbi vlerat në të cilat qëndron sot edhe vet Kosova. Ajo ka shtuar se interesimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancë është domosdoshmëri strategjike për paqe në rajon dhe kontinent.
‘‘Ndaj ju falënderoj që pranuar ftesën time që ta vizitoni Kosovën, shtetin me sentimentin më pro NATO në glob. Me lejoni të ju uroj mirëseardhje në emër të të gjithë qytetarëve të republikës sonë, qytetarë të cilët do të jenë përjetësisht mirënjohës për kontributin vendimtar të aleancës për lirinë e vendit tonë. Para pak më shumë 25 vitesh shumica prej nesh kemi qenë të rinj ose fëmijë që dolën ti presin ushtarët e NATO edhe priteshin si shpëtimtarët tanë. Ata ushtarë sollën dritë në errëserinë e një tragjedie njerëzore që po zhvillohej para syve të botës.
Prandaj populli i Kosovës do të ketë gjithë mirënjohje të thellë për secilin vend aleat dhe për secilin ushtarë që erdhën në mbrojtje të një populli. Përgjatë këtyre 25 viteve së bashku me ju e kemi shndërruar Kosovën në një shembull suksesi dhe në një demokraci që angazhohet për të qenë jo vetëm përfituese e sigurisë edhe kontribuuese e saj. NATO është themeluar mbi vlerat në të cilat qëndron edhe vet shteti ynë, prandaj synimi ynë për anëtarësim në NATO është një domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe të gjithë kontinentin evropian.
Siç e thatë në Bosnje është me rëndësi që të mos ketë vakum të sigurisë. Kosova e ka arritu objektivin e natos prej 2% të GDP, dhe synojmë ta dyfishojmë në kohë rekorde”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s për 2 për qind të GDP-së.
“Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municionit dhe dronëve. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohemi… Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën por gjithë Evropën. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për sigurinë tonë. Ne i bashkohemi thirrjeve tuaja të përsëritur për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it. Ta fuqizojmë prezencën edhe të trupave edhe të mjeteve. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuar si anëtare e përgjegjshme”, ka thënë ajo.
Mark Rutte, pas takimi me Osmanin do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot ka nisur takimet në Kosovë me krerët e lartë shtetërorë
Ai fillimisht është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani, dhe më vonë gjatë ditës do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Rutte ka thënë në një intervistë për Al Jazeera Balkans një ditë më parë se, Kosova është shtet shumë me rëndësi dhe që NATO-ja ka prezencë të konsiderueshme përmes KFOR-it.
“Ka pasur zgjedhje, do të shohim se si do të formohet Qeveria e re, por kjo është pjesë e procesit demokratik. Nuk ka gjë të keqe”, ka thënë Rutte, duke shtuar se aleanca bën përpjekje të vazhdueshme që ky shtet të jetë në formën e vet më të mirë.
Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
Ivan Vejvoda, hulumtues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson që Rutte do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të ofruar garanci se kontingjenti evropian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR, do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-së në Evropë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë, teksa u ka bërë thirrje evropianëve që t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.