Agjenda e reformave ka ngecur dhe asgjë nuk lëviz, tha kryetari i LSDM-së dhe kryetar i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në seancën e sotme të Këshillit. Filipçe në fjalën e tij tha se një pjesë e madhe e ligjeve nga agjenda e reformës që janë të detyrueshme deri në qershor të vitit 2025 nuk kanë hyrë ende në procedurë parlamentare, transmeton Portalb.mk.
“Deri në qershor të vitit 2025 duhet të miratohen rreth 20 ligje dhe asnjëri prej tyre nuk ka hyrë në procedurë parlamentare. Këto janë ligje më së shumti në gjyqësor, në fushën e energjisë, digjitalizimit dhe një ligj në fushën e kulturës.“Ne mund të presim mbështetje dhe duhet të presim mbështetje dhe këtë mbështetje e marrim nga vendet që janë partnerë tanë, por në fund të fundit, më së shumti varet nga ne që të punojmë këtu në shtëpi për të përmirësuar sistemin tonë”, tha Filipçe.
Në seancë, Filipçe theksoi se vetëm me punë intensive, frymë ndërmarrëse dhe vizion, vendi mund të ecë përpara dhe të forcohen institucionet, gjë që për fat të keq, siç tha Filipçe, në këtë moment nuk është e dukshme nga ana e Qeverisë.
“Nëse të gjithë së bashku themi se konsensusi ynë kombëtar është anëtarësimi në BE, më në fund duhet të punojmë të gjithë së bashku. Në fund të fundit, kur jemi të gjithë bashkë, askush nga jashtë nuk mund të jetë më i fortë se ne”, tha Filipçe në seancën e sotme parlamentare të Këshillit Nacional për Integrime Evropiane.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Nga 6 miliardë euro, 4 miliardë euro janë në formën e huas dhe 2 miliardë euro në formë granti. Nga shuma e përgjithshme e mjeteve (6 miliardë), 3 miliardë euro janë të parapara për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore (si hua), ndërkaq 3 miliardë euro do të zbatohen përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (pjesë e mjeteve të pakthyeshme dhe pjesë huatë).
Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.
Por, në prezantimin e parë të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas 1-2 vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve të tjera.
Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të kryhen pagesat e para nga ky plan dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tij.