Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, zhvilloi sot një takim me bujqit e fshatit Çegran dhe përfaqësuesit e bashkësisë lokale, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen fermerët, si dhe hapat konkretë për përmirësimin e kushteve të tyre të punës.
Një nga çështjet kryesore që u ngrit gjatë takimit ishte përmirësimi i infrastrukturës bujqësore, me theks të veçantë në rikthimin e funksionalitetit të kanalit të ujitjes nga lumi Vardar dhe asfaltimin e rrugës që lidh fshatin me fushat. Fermerët theksuan se këto investime do të ndihmojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Zëvendësministri Bexheti u njoh nga afër me propozimet dhe shqetësimet e bujqve, duke theksuar angazhimin e tij për të gjetur zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme. Ai ritheksoi rëndësinë e një dialogu të hapur dhe të vazhdueshëm me fermerët, me qëllim që politikat bujqësore të reflektojnë nevojat reale të tyre.