“Franca do të konsiderojë shtrirjen e mbrojtjes së arsenalit të saj bërthamor për aleatët e saj”, ka njoftuar presidenti francez Emmanuel Macron, ndërsa paralajmëroi se Evropa duhet të jetë e gatshme që Shtetet e Bashkuara të mos i “mbesin në krah” në luftën Ukrainë-Rusi.
“Kam vendosur të hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin evropian”, tha ai në një transmetim të drejtpërdrejtë në kanalet e tij zyrtare të rrjeteve sociale, gjatë së cilës ai theksoi nevojën që Evropa të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën dhe të forcojë mbrojtjen e saj.
“Parandalimi ynë bërthamor na mbron, ai është i plotë, sovran, francez nga fundi në fund”, tha Macron për arsenalin bërthamor të Francës, shkruan CNN.
“Kjo na mbron shumë më tepër se shumë nga fqinjët tanë”, shtoi ai.
“Çfarëdo që të ndodhë, vendimi ka mbetur gjithmonë dhe do të mbetet në duart e presidentit të Republikës, komandantit të ushtrisë”, shtoi Macron.
Ai gjithashtu paralajmëroi se Evropa po “hynte në një epokë të re” dhe se do të ishte “marrëzi” të mbetej një “spektator” i kërcënimit nga Rusia.
“Shtetet e Bashkuara, aleati ynë, ka ndryshuar qëndrimin e saj për këtë luftë, është më pak mbështetëse për Ukrainën dhe po hedh dyshime për atë që do të ndodhë më pas”, tha Macron, duke shtuar se “dëshiron të besojë që SHBA do të qëndrojë pranë tyre, por duhet të jenë gati nëse nuk do të jetë kështu”.
“Megjithëse Franca mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s dhe partneritetit të saj me SHBA-në, ajo duhet të bëjë më shumë për të forcuar pavarësinë e saj në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Macron.
Ai njoftoi se do të ftonte liderët evropianë në një takim në Paris javën e ardhshme për të punuar mbi një plan për të ofruar një “paqe të qëndrueshme”, e cila mund të përfshijë vendosjen e trupave paqeruajtëse në Ukrainë “pasi të nënshkruhet paqja” për të parandaluar ri-pushtimin e Rusisë.
Ndryshe, komentet e tij vijnë pasi kancelari i ardhshëm i mundshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, avokoi për bisedime me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar – dy fuqitë bërthamore të Evropës – për të zgjeruar mbrojtjen e tyre bërthamore.
Macron e ka përmendur edhe më herët këtë ide: “Nëse bashkëluftëtarët e mi evropianë duan të vazhdojnë drejt autonomisë më të madhe dhe kapacitetit për parandalim, ne duhet ta hapim atë diskutim”.