Zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe fillimin e Epopesë së UÇK-së. Në një postim, ai theksoi se familja Jashari është simbol i sakrificës sublime për liri, ndërsa Prekazi mbetet një vend që reflekton idealet e bashkimit dhe unitetit.
5 Marsi shënon nisjen e Epopesë së UÇK-së, që simbolizon qendresën dhe sakrificën më sublime të familjes Jashari. 27 vjetori i rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, është moment reflektimi për ecajaket e shqiptarëve dhe Kosovës drejt rrugës së lirisë, për të cilën ideal familja Jashari dha gjithçka si askush më parë.
Mbi supet e komandantit Adem Jashari, figura më madhore e luftës çlirimtare, ishin bashkuar dëshira për liri, vendosmëria për sakrificë dhe qendrueshmëria deri në flijim. Familja Jashari u bë altari nga ku nisi liria e Kosovës, ndërsa Prekazi u kthye në vendin që edhe sot rrezaton idealet e mëdha të bashkimit e unitetit.
Në këtë ditë të shënuar në kalendarin historik të shqiptarëve, e rikujtojmë amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari. Portreti i komandantit legjendar në Shkup e rithekson një të vërtetë të madhe se lufta për liri është gjithmonë universale. Prandaj, vepra e familjes Jashari nderohet në Prishtinë, Tiranë, Shkup e kudo në botë, ku frymon ideali i lirisë.
Komandanti Adem Jashari dhe familja Jashari janë një flamur i pavdekshëm dhe historia e tyre do të vazhdojë të inspirojë çdo brez.