Ligji për komunikime elektronike përplasi deputetët e Frontit Evropian dhe të VMRO-DPMNE-së. Sali Murat kishte 20 amendamente ndaj propozim ligjit, i cili parashikon bllokimin e faqeve të internetit për lojërat e fatit. Mes tjerash deputeti Murat kërkoi që bllokimi i përmbajtjeve në internet të mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësorë.
“E para futje e kontrollit gjyqësor gjatë bllokimit të përmbajtjeve të internetit. Këtë e kam thënë edhe herën e kaluar, këtu kam disa amendamente për këtë problematikë. E dyta vendosje e regjistrit publik për faqe të bllokuara. Komponenta e tretë është definimi i procedurave për mbrojtje ligjore, sepse me këto ndryshime, nuk parashihni mbrojtje ligjore, nëse bllokohen”, deklaroi Sali Murati, Fronti Evropian.
Por deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski këto amendamente i cilësoi si manipulim. Ai theksoi se këto amendamente janë porosi nga disa struktura, që siç theksoi, kanë bërë një sërë keqpërdorimesh, sidomos në pjesën e lojërave të fatit.
“Është e qartë se përfaqësuesit e të ashtuquajturit Frontit Evropian akoma nuk po mund të hiqen nga kthetrat e disa strukturave që kanë bërë një sërë keqpërdorimesh në hapësirën e internetit, veçanërisht në pjesën e lojërave të fatit. Kjo temë është akoma e preferuara e tyre, akoma kërkojnë mënyra se si t’i mbrojnë disa të arratisur të tyre…”, tha Toni Jarevski, VMRO-DPMNE.
Amendamentet e deputetit Sali Murat nuk u pranuan, ndërsa propozim ligji mori dritë jeshile në komisionet kuvendore. Pasi ligj të hyjë në fuqi do të ndalohet qasja në të gjitha platformat jolegale për lojëra të fatit në internet. Kjo do të zbatohet përmes Agjencisë për komunikime elektronike, me urdhëresë të ministrisë për Transformim Dixhital dhe përmes operatorëve të internetit që i rregullon. Gjatë diskutimit për këto ndryshime ligjore, deputetët theksuan se janë dhënë 48 licenca për kompanitë për organizimin e lojërave të fatit, ndërsa janë evidentuar rreth 160 operatorë të paligjshëm të lojërave të fatit online. Qytetarët deri tani kanë shpenzuar 210 milionë euro për lojërat e fatit online. /Alsat.mk