Dha dorëheqje anëtari i LSDM-së në Komisionin për ndryshimin e emrave të Komunën e Tetovës. Socialdemokratët akuzojnë kreun e Tetovës Bilall Kasamin, se nuk i përfill, shkruan Alsat.
Por, ky i fundit e cilëson si të shpejtuar vendimin e LSDM-së dhe thotë se procesi po zhvillohet në mënyrë demokratike.
“…priten propozime nga qytetarët që do shqyrtohen nga komisioni e më pas ai raport i komisionit shqyrtohet nga këshilli komunal dhe i njëjti do sjell vendim. Unë mendoj se është forma më demokratike e emërtimit të rrugëve konform ligjit dhe nëse këshilli që përbëhet nga gjitha përbërjet politike dhe etnike sjell vendim për një emër të një rruge unë mendoj që është demokratik. Më vjen keq që LSDM ka marrë një vendim të këtillë në këshill, sepse nuk janë faktor që përcaktojnë realizimin e këtij projekti”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Por dega e LSDM-së në Tetovë thotë se ndërrimi i emrave të rrugëve në këtë moment nuk është prioritet për qytetarët.
“Bilall Kasami dhe partneri i tij i koalicionit mbeten të shurdhër dhe injoruan thirrjet e qytetarëve që emërtimi i rrugëve nuk është prioritet për qytetarët. Gjithnjë kur në pushtet është VMRO, qoftë në nivelin qendror apo lokal, tensionet dhe mosdurimi ndëretnik po rriten”, thonë nga LSDM Tetovë.
Nisma për ndërrimin e emrave të rrugëve që kanë mbetur nga koha e komunizmit po zvarritet prej kohësh. Partitë politike në kuadër të Këshilli komunal nuk ka arritur t’i kapërcejnë dallimet. Shumë rrugë në Tetovë nuk kanë as emra as numra. / Alsat.mk