“LSDM-ja kërkon rritjen e pagës minimale në 500 euro sepse kjo do të nxisë rritjen e të gjitha pagave”, deklaroi nënkryetarja e LSDM-së Kaja Shukova. Ajo tha se në vend çdo gjë është shtrejtuar dhe çmimet janë rritur disa herë më shpejt sesa pagat. Shukova theksoi se treguesit ekonomikë dhe faktet për jetën në vend tregojnë qartë se standardi i jetesës së qytetarëve është në rënie të vazhdueshme, ndërsa njëkohësisht akuzoi Qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e gjendjes ekonomike.
KAJA SHUKOVA, NËNKRYETARE E LSDM-SË
“Faktet tregojnë se çmimet po rriten disa herë më shpejt se pagat dhe qytetarët mund të përballojnë çdo ditë e më pak. Energjia elektrike është rritur për 20 deri në 30%, ngrohja për 5 % dhe do të rritet edhe më tej, shërbimet janë ngritur në qiell. Çmimet e produkteve ushqimore bazë janë rritur për 30 %.LSDM kërkon dhe përkrah rritjen e pagës minimale në 500 euro sepse kjo do të nxisë rritjen e të gjitha pagave. Kjo strategji, të cilën LSDM-ja e zbatoi vazhdimisht gjatë kohës që ishte në pushtet dha rezultate”.
Lidhur me deklaratën e Shukovës reagim të menjëhershëm pati nga VMRO DPMNE. Nga atje thanë se po të mos ishin krimet e LSDM-së dhe BDI-së, mund të kishte paga më të larta, por siç thonë ata paratë kanë shkuar për Grubin, Zaevin dhe Kovaçevskin.
VMRO DPMNE
“LSDM ka vjedhur shtetin. Për 7 vjet, ata nxorën miliona përmes tenderëve dhe marrëveshjeve të dyshimta. Krimet e LSDM-së si qeveri po i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve. Ndërsa LSDM ishte në pushtet, vendi po zhytej në një vorbull varfërie. VMRO-DPMNE stabilizoi buxhetin. LSDM dhe BDI duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet që kanë bërë”.
VMRO thekson se LSDM duhet të heqë dorë dhe të dënojë Vasko Kovaçevskin, Pece Mirçevskin, Filip Andov Sokol, Artan Grubin e Parparim Bajramin.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/