Gjykata Penale caktoi masa sigurie për dhjetë të dyshuarit, përfshirë edhe ish-drejtorin e burgut në Shuttkë, Filip Adnov, i cili kohë pas kohe ka lejuar që pesë të dënuar të lirohen në mënyrë të kundërligjshme. Andov është i dyshuar së bashku me nëntë persona të tjerë në procedurën e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Të dyshuarve iu konfiskuan pasaportat. Atyre u ndalohet të largohen nga vendbanimi. Ata duhet të paraqiten herë pas here te një zyrtar i caktuar në gjykatë. Nuk mund të mbajnë kontakte apo marrëdhënie me persona të caktuar dhe gjithashtu u ndalohet të kryejnë aktivitete të caktuara pune, që kanë të bëjnë me veprën penale.
Pesë të dënuar u liruan pas 8 deri në 10 orë me faksimil ose nënshkrimin e Andovit. I dyshuari i dytë është komandanti i policisë së burgjeve, i cili ka nxjerrë urdhrin për shoqërimin e tyre, dhe ndonjëherë atë vepër e ka bërë edhe i dyshuari i tretë, punonjësi i policisë së burgut dhe shofer personal i drejtorit. Të dyshuarit e tjerë janë policë burgu.
Siç bëhet me dije nga Gjykata, kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese pranë Këshillit Penal.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me prokurorin publik, me urdhër paraprak të gjykatës, dje kanë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara në një pjesë të mediave, në aksion janë përfshirë edhe punonjës aktualë dhe të dikurshëm të burgjeve, përfshirë ish-drejtorin e burgut hetimor në Shutkë, Filip Andonov-Sokol dhe kujdestarin e të njëjtit burg, Sasho Krstevski-Zverot.