Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani organizoi një vizitë në komunën e Dibrës, ku arriti të mbledh personalitete të larta të trupit diplomatik të akredituar në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Paolo Palminteri, ambasador i Republikës së Italisë; András Klein, ambasador i Republikës së Hungarisë, Jaroslav Ludva, ambasador i Republikës Çeke dhe Rafael Soriano Ortiz, Ambasador i Mbretërisë së Spanjës.

Diplomatët vizituan Manastirin e Shenjtë të Bigorskit në Dibër, ku pjesëmarrësit u pritën nga vëllazëria monastike e drejtuar nga At Dositeu, i cili i njohu të pranishmit me historinë mbi njëmijëvjeçare të Manastirit dhe rolin e tij në ruajtjen e harmonisë mes komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore. Gjatë vizitës, përfaqësuesit diplomatikë patën mundësinë të njihen me pasurinë shpirtërore të këtij vendi të shenjtë, si dhe të vlerësojnë përpjekjet e manastirit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe restaurimin e veprave të rralla artistike.
“Me bekimin e Jerondit dhe Igumenit tonë, Hirësisë së Tij, Peshkopit të Antanisë, Partenij, mysafirët e nderuar u pritën nga ikonomi i manastirit, Arkimandrit Dositej. Ai u rezervoi një mikpritje të përzemërt, duke i njohur me historinë e pasur, rëndësinë shpirtërore dhe trashëgiminë kulturore të këtij vendi të shenjtë mijëravjeçar. Gjatë vizitës u zhvilluan biseda rreth sfidave aktuale dhe jetës monastike, si dhe u fol për rolin e manastirit si një qendër shpirtërore, e cila kultivon frymën e bashkëjetesës ndërkulturore. Ambasadorët shprehën admirimin e tyre për bukurinë e Manastirit, për misionin e tij shumëdimensional, si dhe për mikpritjen e vëllazërisë monastike”, thonë nga Manastiri Bigorski.

Në pritjen zhvilluar në Komunën e Dibrës morën pjesë edhe deputeti i Zonës Nr. 5, Musa Xhaferi, Kryetari i Këshillit Komunal, Fuat Spahiu, Sekretari i Komunës, Ylli Mirzo, si dhe përfaqësues të tjerë vendorë. Diskutimet u përqendruan në mundësitë investuese që ofron Dibra, bazuar në resurset e saj natyrore dhe projektet aktuale e të ardhshme të zhvillimit. Ambasadorët shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të zonës.