Emir Kurtish
E drejta për arsimim sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe konventave ndërkombëtare
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumë dispozita juridike të saj e manifeston dhe e rregullon të drejtën për arsimim, edhe atë me dispozitën e nenit 44: “Secili ka të drejtë në arsimim. Arsimimi është i arritshëm për secilin në kushte të barabarta”. Më tutje dispozita e nenit 45, përcakton se: “Qytetarët kanë të drejtë, në kushte të përcaktuara me ligj të themelojnë institucione private të arsimit në të gjitha shkallët e arsimit, përveçse në arsimin fillor”. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e proklamon të drejtën për arsimim në nenin 26 të saj, ku përcakton se duhet të jetë falas, i detyrueshëm dhe i mundshëm për të gjithë në bazë të aftësisë. Ai duhet të drejtohet nga zhvillimi i plotë i personalitetit të njeriut dhe nga forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore; duhet të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve. Ndërkaq, Pakti Ndërkombëtarë mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, mbi dispozitat e neneve 13 dhe 14 për shtetet palë të këtij Pakti, i detyron që të njohin të drejtën e secilit për arsim, i cili duhet të orientohet drejt zhvillimit të plotë të personalitetit njerëzor dhe të ndjenjës së dinjitetit të tij dhe të forcojë respektin për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Shtetet palë të këtij Pakti, zotohen të respektojnë lirinë e prindërve dhe poqese është e nevojshme të kujdestarëve ligjorë për të zgjedhur për fëmijët e tyre shkollat, përveç atyre që i kanë themeluar autoritetet publike, por që të jenë në përputhje me normat minimale që mund të jenë caktuar ose miratuar nga shteti në fushën e arsimit dhe për të siguruar arsimimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre. Më tej, Pakti thekson se asnjë pjesë e këtij neni nuk duhet të interpretohet si ndërhyrje në lirinë e individëve dhe të personave juridikë për të krijuar dhe drejtuar institucione arsimore, por gjithnjë me kusht që parimet e shpallura në paragrafin 1 të këtij neni të respektohen dhe që arsimi i dhënë në institucionet e tilla të jetë në përputhje me normat minimale që mund të jenë caktuar nga shteti.
Liria e besimit fetar sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonis së Veriut
Mbështetur në dispozitën e nenit 19 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, garantohet liria e besimit fetar. Garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët. Kësisoj, me amendamentin VII të Kushtetutës si plotësim i nenit 19 që rrjedh nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, në RMV edhe bashkësitë fetare u bënë pjesë e Kushtetutës dhe njihen si kategori kushtetuese. Paragrafi 3 i nenit 19 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si bashkësi fetare përmend: “Kisha Ortodokse Maqedonase si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë fetare dhe grupet religjioze të tjera janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta para ligjit”. Më tej paragrafi 4 i nenit 19, thekson se: “Kisha Ortodokse Maqedonase si dhe Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste-Metodiste, Bashkësia Hebraike dhe bashkësitë fetare dhe grupet religjioze të tjera janë të ndara nga shteti dhe janë të lira në themelimin e shkollave fetare dhe enteve sociale dhe bamirëse sipas procedurës së parashikuar me ligj”. Në vitin 1997 për herë të parë u soll Ligji për bashkësitë fetare të cilit iu shfuqizuan shumë nene kontestuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, kështu që u imponua nevoja për sjelljen e një ligji të ri. Mbi bazën e dispozitës së nenit 22 të tij: “Kisha, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze kanë të drejtë të themelojnë institucione arsimore fetare nga të gjitha shkallët e arsimit, përveçse arsimim fillor, për arsimimin e personave klerikë dhe nëpunës fetar, si konvikte për nxënës dhe studentë për akomodimin e personave të studiojnë në ato institucione”. Paragrafi 2 i këtij neni thotë që: “Institucionet arsimore fetare janë të ndara me institucionet e tjera arsimore dhe nxënësit dhe studentët e tyre i kanë të gjitha të drejtat dhe detyrimet”.
Medreseja në Republikën e Maqedonisë së Veriut – statusi i saj zyrtar
Nga faqja e kësaj shkolle për historinë e themelimit të medreses mund të përfundohet se ajo cilësohet si shkollë e orientuar profesionale dhe bënë pjesë në ragun e shkollave të mesme. Si shkollë e mesme vepron si e vetme edhe për djem edhe për vajza në tërë territorin e RMV-së me paralelet e saj në: Shkup, Tetovë, Gostivar dhe në Shtip. Gjatë funksionimit të saj shpeshherë ka pushuar së punuari në periudha të ndryshme kohore që nga periudha e Perandorisë Osmane për të rifilluar përfundimisht me procesin edukativo-arsimor më 15 tetor të vitit shkollor 1984/85 si shkollë e vetme e këtij lloji në RMV. Funksionimi i saj gjenë bazë në Ligjin për Pozitën Juridike të Kishës, Bashkësive Fetare dhe Grupeve Fetare dhe mbi bazën e Ligjit për Arsimin e Mesëm të RMV-së. Mirëpo, që nga viti 2018 maturantët që kanë vijuar dhe vijojnë procesin edukativo-arsimor në këtë institucion u mohohet e drejta për t’u regjistruar në universitetet publike në vend, me pretekstin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se kjo shkollë ende nuk i plotëson kriteret dhe kushtet ligjore sikurse shkollat e mesme të tjera në vend, me ç’rast kjo shkollë mbeti jashtë listës së shkollave të mesme publike, si pasojë e sjelljes së provimit të maturës shtetërore nga ana e ministrisë në fjalë. Kjo problematikë e kahershme me apo pa fajin e institucioneve fetare dhe atyre arsimore çështjen në fjalë ndër vite fare mirë dhe në harmoni e hedhin si top ping-pongu në tavolinë, por që dëmin më të madh e kanë paguar dhe po e paguajnë brezat e nxënësve që e kanë ndjekur dhe po e ndjekin mësimin në këto shkolla, të cilët janë bërë viktimë e sistemit arsimor si shkak i mospërputhjeve ligjore, zgjidhjet e të cilit që nga themelimi i shkollave fetare u mohon nxënësve të shkollave fetare ortodokse dhe islame të ushtrojnë të drejtën e arsimit në kushte të barabarta me nxënësit e tjerë të përfshirë në sistemin funksional të arsimit të mesëm edhe atë mbi bazën e dispozitës së nenit 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili shprehimisht thotë: “Në shkollat e mesme është e ndaluar çdo lloj i organizimit dhe veprimit politik dhe fetar. Në shkollat e mesme nuk lejohet organizimi i arsimit fetar. Në shkollat e mesme është e ndaluar theksimi i simboleve partiake dhe fetare”. Pra, ky absurditet i lloji të vet, mund të gjendet vetëm te Ligji i Arsimit të Mesëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku edhe ta lejon themelimin e institucionit, por më pas nuk ta njeh! Që nga viti 2018, nxënësit e medreses nuk u njihen diplomat e tyre, si pasojë e mos nënshtrimit të maturës shtetërore që rrjedhimisht atyre u mohohet edhe e drejta e vazhdimit të ndjekjes së shkollimit të lartë nga ana e shtetit. Kësaj problematikeje mendohej t’i jepej zgjidhje me sjelljen e një Propozim Ligji për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, i cili është propozuar në korrik të vitit 2022 dhe është endur nëpër procedura parlamentare dhe asnjëherë nuk e pa dritën me sy! Ligji në fjalë, mëtonte që këto institucione arsimore të fitojnë statusin e institucioneve private publike jofitimprurëse për arsim të mesëm, në pajtim me Ligjin për Arsim të Mesëm. Mirëpo, edhe pse ky ligj parashihte ca zgjidhje ligjore për çështjen në fjalë, sërish mendojmë se hendikep i theksuar do të mbetej formulimi i pa u ndryshuar i dispozitës sënenit 7 të Ligjit për Arsimin e Mesëm.
Këtë problematikë e zgjidhi gjoja Qeveria e udhëhequr nga Talat Xhaferi, i cili në muajin mars të vitit të kaluar (2024), solli Vendim për transformimin e statusit të shkollës nga ajo fetare islame në shkollë të mesme private, e cila procesin mësimor arsimor do ta zhvillonte si të gjithë shkollat e tjera, në përputhje me Programin e Byrosë për Zhvillim të Arsimit. Megjithatë, ky vendim sot gjendet në procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë përpara Gjykatës Kushtetuese të RMV-së dhe nuk do të dihet për fatin e tij, megjithëse ka zëra brenda gjykatës që janë kategorik kundër këtij vendimi, me arsyetimin se shkelet parimi i laicitetit të shtetit!
Me këtë rast, vlen të përmendet për zgjidhjet më origjinale që mund të mësojë Republika e Maqedonisë së Veriut janë ato që parashohin vendet e rajonit kur organizohet mësimi fetar, e veçanërisht nga Republika e Shqipërisë me Ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Neni 7 i ligjit që rregullon çështjen e laicitetit të shkollave publike thekson se: “Arsimi parauniversitar është laik. Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare të njohura me ligj, sipas përcaktimeve të nenit 42 pika 4 të këtij ligji”. Absurde dhe paradoksale është kur ta mendosh se këto shkolla fare pa problem mund të njihen si “kurse private” të themeluara nga persona fizikë për mësimin e besimeve fetare, por jo të njihen edhe si shkolla të mesme. Nxënësit e tyre fare pa problem mund të studiojnë jashtë shtetit, në cilindo universitet në botë, vetëm në RMV jo, që më kujton një bisedë të dijetarit të madh, i cili në një “ders” të tij përpara besimtarëve myslimanë, mes tjerash me plotë të drejtë pati thënë 10 vjet shkollat kanë qenë të mbyllura në Maqedoni (duke na e mohuar arsimin e lartë në gjuhën amtare) shkollohu në Tiranë e në Prishtinë, nuk pranohen diplomat… ai me diplomë prej Tiranës shkon dhe hap ambulancë në Berlin, bëhet mjek i suksesshëm, ndërsa ka ngelur Maqedonia që diplomat e njëjta t’i kontestojë e të mos i pranojë!
E njëjta situatë ndodh edhe tani: nxënësit e medresesë, sado që mund të jenë të mirë e të suksesshëm, mund ta gjejnë veten e të shkollohen gjithandej, por të na falin, në Maqedoni nuk e meritojnë! Ato këtu s’kanë vend!