Ramiz Merko mbeti pa kompetenca edhe mbi çerdhet e Strugës. Nga Ministria për Punë sociale, demografi e rini thonë se Merko nuk i është përmbajtur udhëzimeve që më parë i kishte dhënë ministria.
“Përkundër udhëzimit të mëparshëm për respektimin e ligjit, kryetari i komunës nuk e respektoi dhe për këtë arsye i janë marrë kompetencat për një periudhë prej një viti, duke filluar nga data 19.2.2025, mbi Institucionin Publik Komunal – Kopshti “8 Marsi”, Strugë”, thonë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Kopshti në Strugë prej muajsh po përballet me probleme serioze. Rreth njëzet edukatore, përkëdhelëse dhe personel tjetër ndihmës kanë punuar me vite me kontrata në vepër dhe me pagë prej vetëm 10.000 denarësh, pa sigurim shëndetësor dhe pensional. Shërbimet sociale thonë se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Financave për sigurimin e mjeteve financiare për punësimin e pesë përkëdhelëse dhe një edukatore.
“Pas marrjes së pëlqimit të kërkuar nga Ministria e Financave, kopshti mund t’i fillojë procedurat e punësimit”, njoftojnë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Drejtoresha e re e kopshtit 8 Marsi Floreshe Emush, thotë se gjendja në kopshte është alarmante, por se deri në muajin maj është siguruar paga minimale prej 22.500 denarë nga mjetet vetanake për të gjithë punëtorët me kontratë pune. Duke qenë se i gjithë buxheti i kopshteve shkon për paga, ajo thotë se aktualisht nuk mund të investojnë në aktivitete të tjera.
Asnjë ministër përkatës deri tani nuk e ka parë të nevojshme ta vizitojë kopshtin dhe të bisedojë me punonjësit dhe prindërit.
“Më parë Merkos i janë marrë kompetencat në të gjitha shkollat fillore në rajonin e Strugës, në fshatrat Podgorcë dhe Dërsllajcë, nga ana e Ministrisë së Arsimit”, raporton
Miki Trajkovski, gazetar. /Alsat.mk